Deklaratat e kryetarit të KDTP-së dhe ministrit të MZHR-së, Fikrim Damka lidhur me incidentin më 9 shkurt në Prizren janë kundërshtuar nga njëra prej protagonisteve të kësaj ngjarjeje, përkatësisht viktimës Arda Maloku.
Ajo ka theksuar se lidhur me këtë incident kishte zgjedhur heshtjen, por se pas deklaratave të Damkës, ka vendosur që të reagojë vetëm një herë dhe pastaj të qëndroj e heshtur deri sa drejtësia të japë vendimin e saj.
Tutje ka dhënë versionin e saj, duke kundërshtuar pretendimet se bëhet fjalë për kurth të organizuar ndaj Damkës.
“Më 9 shkurt në mbrëmje, ndodheshim në Parkun e Dëshmorëve në lagjen Kurillë, së bashku me disa miq që ishin kandidatë për deputetë. Kishte mbetur edhe pak kohë deri në mbylljen e kutive të votimit. Në atë moment, një mik tjetër imi, Muharrem Jable (i cili nuk ka asnjë lidhje me YTHP) ndodhej aty dhe po bisedonim për zgjedhjet. Përballë parkut, para zyrës së KDTP-së, kishte një turmë njerëzish. Në atë çast, aty mbërriti Fikrim Damka dhe, sapo turma e pa atë, u drejtua menjëherë në drejtimin tonë, në park. Ngjarja filloi kur Damka iu afrua me qëllim Muharrem Jable-s. Unë isha në pjesën e përparme dhe, sapo Damka më pa, filloi të bërtiste, më kapi nga krahët, më shtyu dhe më kërcënoi. Nuk më intereson se çfarë problemi ka Damka me Muharremin dhe kjo nuk ka të bëjë as me mua e as me komunitetin turk. Por ky veprim i tij nuk ka asnjë justifikim! Në deklaratën e tij, ai përpiqet ta fshehë të vërtetën e ngjarjes duke e quajtur një kurth. Në pamjet filmike shihet qartë se kush ka ardhur drejt parkut”, thuhet në deklaratën e Malokut, raporton Telegrafi.
Po ashtu ka sqaruar se pas ngjarjes, ka denoncuar Damkën në Polici.
“Të gjithë dhanë dëshmitë e tyre. Po atë natë, Prokurori mori vendim për arrestim. Të nesërmen, Kryeprokurori, në deklaratën për shtyp, tha se ekziston dyshimi për dhunë ndaj një gruaje dhe për kërcënim dhe se pas dëshmive dhe pamjeve të marra nga vendngjarja ishte marrë vendimi për “ndalim”. Ai theksoi gjithashtu se kjo ngjarje nuk lidhet me politikën apo zgjedhjet, por mund të jetë një konflikt personal. Atëherë si mund të pretendohet se ky është një kurth kundër komunitetit turk dhe Damkës?”, është shprehur Maloku, duke shtuar se komuniteti turk e ka parë një kurth të vërtetë në një video të shpërndatë gjatë zgjedhjeve të vitit 2019.
Krahas kësaj ajo ka shtruar pyetjet se në cilin vend të botës një prokuror merr vendim për ndalim pa prova dhe fakte?, se në cilin vend të botës një gjykatës jep vendim për arrest shtëpiak në këto rrethana? Dhe se a është edhe shteti pjesë e këtij kurthi?
“Ju siguroj se unë nuk e kam atë fuqi!”, ka thënë Maloku.
Në të njëjtën kohë ka deklaruar se pas ngjarjes, disa persona të afërt me Damkën kanë kontaktuar atë dhe familjen e saj duke kërkuar tërheqjen e denoncimit.
“Por ju e luani aq mirë rolin e viktimës, saqë e para bindni veten dhe pastaj të tjerët, sikur këtë ngjarje e kanë shkaktuar të tjerët. Nëse ky nuk është manipulim i opinionit, atëherë çfarë është? Ndërkohë që njerëzit prej jush presin një deklaratë të qartë dhe të sinqertë, ju po përpiqeni ta ktheni çështjen në një kurth politik”, ka shtuar ajo.
Sipas saj në këtë rast rëndësi ka vetëm vendimi i organeve të drejtësisë, dhe se në fund, të gjithë do ta shohin që kjo ngjarje nuk ka të bëjë me çështjet e komunitetit turk, politikën apo zgjedhjet.
Gjithashtu ka pohuar se si grua nga radhët e komunitetit turk do të luftoj për të drejtat e saja deri në fund.
Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ministri i MZHR-së, Fikrim Damka përmes një deklarate publike ka mohuar kryerjen e ndonjë vepre penale në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt 2025.
Madje tërë situatën e krijuar, që kishte rezultuar me ndalimin e tij dhe më pas me masën e arrestit shtëpiak, me pretendimet për sulm dhe kanosje, e ka quajtur një kurth të bazuar në fushatë shpifëse. /Telegrafi/