Site icon Telegrafi

Arbnor Muja falënderon Dritën pas kalimit te Antwerp: Nga ju po plotësoj një ëndërr të fëmijërisë

Arbnor Muja u zyrtarizua sot si transferimi më i ri i skuadrës belge, Royal Antwerp, me të cilën u përball në dy ndeshje në Ligën e Evropës.

Lojtari ka udhëtuar në fillim të javës në Belgjikë, ku ka kryer testet mjekësore dhe pastaj ka nënshkruar kontratën që do ta mbajë të lidhur me klubin edhe për tri vite.

Muja ka falënderuar klubin e Dritës dhe tifozët “Intelektualët”, por edhe të gjithë ata që e kanë mbështetur nga fillimet e tij.

“Faleminderit familja e madhe FC DRITA! Është emocion i madh të shkruash për një ndarje, emocion akoma më i madh është kur nga ky klub po realizoj një ëndërr që shpresoj ta jetësoj deri në fund të karrierës time”.

“Për rrugëtimin tim deri këtu dua të falënderoj gjithë ata që më kanë mbështetur, klubin FC Drita, presidentin e drejtuesit e klubit, trajnerin Ardian Nuhiji, stafin e trajnerëve dhe stafin mjekësor, bashkëlojtarët dhe të gjithë punëtorët e tjerë të klubit”.

“Gjithashtu dua të falënderoj ata që më kanë dhënë zemër gjithmonë në fushë, INTELEKTUALËT, faleminderit shumë për mbështetjen që më keni dhënë, nga sot keni dhe një anëtar të ri në mesin tuaj, gjithmonë do jem përkrahës i Dritës”.

“Për fund dua të falënderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe më kanë mbështetur që nga dita e parë, uroj të ju bëjë krenar gjithmonë”, ka shkruar Muja.

Lojtari do të bartë fanellën me numrin 11-të te klubi belg. /Telegrafi/

Exit mobile version