Kosova në futsall tash e disa ditë është në Holandë ku do të zhvillojë dy ndeshje.
Kosova do të luajë me Holandën sot dhe nesër dy ndeshje miqësorë, ku do të bëhet edhe debutimi i përzgjedhësit të ri Arben Simitçiu.
Ky i fundit në një intervistë për Telegrafin ka folur për këtë grumbullim dhe dy ndeshjet që do të zhvillohen.
Simitçiu është ndarë i kënaqur me gjendjen dhe sjelljet e ekipit në këto ditë grumbullimi.
“Gjendja e ekipit është super. Shumë jam i kënaqur në përgjithësi. Djemtë janë shembullor si nga ana e stërvitjes e po ashtu edhe nga e sjelljeve. Më kanë befasuar për të mirë sa shpejt i kanë kuptuar gjërat që janë thelbësore për një funksionim të mirë për kombëtaren dardane”, ka thënë fillimisht Simitçiu.
Tutje përzgjedhësi i Kosovës është ndalur në dy ndeshjet me Holandën, duke treguar se sa do t’i shërbejnë ato skuadrës së tij.
“Roli i miqësorëve është i qartë. Do ta shohim reagimin e lojtarëve brenda lojës si dhe aplikimi i detyrave tekniko-taktike në lojë. Njohja mes veti është një ndër faktorët kryesore, koordinimi si një ekip i tërë. Besoj se edhe në këtë aspekt dardanet në futsall do të më befasojnë për të mirë”, nënvizoi ai.
Simitçiu ka folur për kushtet dhe stafin e tij, ku ndihmës është emëruar Agon Ramadani, ndërsa më skuadrën kanë udhëtuar nga federata edhe Agim Avdyli dhe Arben Zhjeqi.
“Kushtet janë perfekt! Shumë jam falënderues ndaj nikoqireve tulipan për këtë ftesë dhe event që është në nivel shumë të lartë. Stafi është poashtu shumë i mirë dhe përkujdesja e tyre është maksimale”, përfundoi Simitçiu.
Ish futbollisti i njohur, tani koordinator i futsallit, Arben Zhjeqi, është ndarë i kënaqur me pritjen dhe punën që po bëhet te Kosova.
“Jam shumë i kënaqur, si me djelmoshat, ashtu edhe me pritjen që na është bërë. Po shihet që po bëhet një punë e madhe nga stafi dhe kjo do të shërbejë shumë për të ardhmen”, deklaroi ai. /Telegrafi/