Është aprovuar pjesërisht ankesa e kompanisë kontraktuese “Euro Construction” për tenderin “Renovimi i Stadiumit të qytetit të Gjilanit”. Kjo kompani pati dorëzuar ankesën për faktin se tenderi i është dhënë një grupi të operatorëve që ofruan çmim më të shtrenjtë. I njëjti mund të dal sërish në tenderim.
Telegrafi ka siguruar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, në të cilën shihet qartë se është aprovuar si pjesërisht ankesa e kompanisë dhe është anuluar aktiviteti i prokurimit.
“Aprovohet si pjesërisht e bazuar ankesa e OE N.N.P “Euro Construction” e datës 18.06.2024 me numër protokolli 2024/0521 lidhur me akvitetin e prokurimit “Renovimi i Stadiumit të qytetit të Gjilanit”, me numër të prokurimit 651-23-13546-5-1-1”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit pati rekomanduar që të anulohet plotësisht tenderi për renovimin e stadiumit të Gjilanit.
Kjo për shkak se në ekspertizën e OSHP-së është theksuar fakti që tenderi iu dha një grupi të operatorëve që ofertuan me çmimin më të shtrenjtë.
Komuna e Gjilanit në krye me Alban Hysenin me 31 maj i ka dhënë tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomikë “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, grup i operatorëve ekonomikë që kishin dhënë ofertën më të shtrenjtë për renovimin e stadiumit, por që u përzgjodhën nga Komuna e Gjilanit.
Diferenca ishte afro 2 milionë euro më shtrenjtë se sa kishte ofertuar grupi më i lirë në listën e tre konsorciumeve, saktësisht 1 milionë e 720 mijë euro.
Çmimi më i ulët që i ishte ofruar Komunës së Gjilanit ishte 13 milionë e 274 euro.
Stadiumi i Gjilani ka shkuar në rinovim të tërësishëm më vitin 2022, kur klubet e Dritës dhe Gjilanit, u larguan nga aty.
Premtime për stadiumin e ri e kishte dhënë kryetari i Gjilanit nga Vetëvendosje, Alban Hyseni, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në krye me Hajrullah Çekun.
Ministri Çeku kishte deklaruar se janë ndarë 15 milionë euro për renovimin e stadiumit./Telegrafi/