Telegrafi

Aplikacioni më i popullarizuar për fotografi për iPhone vjen edhe në Android

Këtë e paralajmëroi gjatë konferencës LeWeb CEO i kompanisë Kevin Systrom i cili tha se pret që numri i shfrytëzuesve të këtij aplikacioni, që momentalisht është rreth 15 milion, të rritet në masë të madhe kur të jenë në dispozicion edhe në pajisjet që punojnë në Androidin e Googleit.

Duke pasur parasysh se kamerat në telefonat e mençur janë gjithnjë e më kualitative, për shumë kënd ato zëvendësuan fotoaparatet klasike digjitale, e për shkak të thjeshtësisë së uploadit të fotografive në Internet (pa pasur nevojë për bartjen e fotografive në kompjuter përmes kabllos USB ose Bluetoothit) dhe opsioneve interesante për editimin e fotografive drejtpërdrejtë në telefon, gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin aplikacionet mobile dhe shërbimet e internetit në të cilët ndajnë fotografitë e tyre.

Instagram është i popullarizuar pikërisht për shkak të thjeshtësisë – mjafton të zgjidhni fotografinë pa marrë parasysh nëse ajo është incizuar me telefon ose është bartur në të nga ndonjë pajisje tjetër, ta editoni me ndonjërin nga shumë filtra që janë në dispozicion dhe ta publikoni.

Si dhe në rrjetat tjera shoqërore, edhe në Instagram mund të përcjellni shfrytëzuesit, të komentoni dhe të bëni “like” fotografitë e tyre si dhe të kërkoni miliona fotografi që janë në dispozicion në këtë shërbim. Gjithashtu, në mënyrë që shfrytëzuesit tjerë me lehtësi të gjejnë fotografitë, duhet vendosur një etiketë, respektivisht heshtakun (#) përmes të cilit do të kërkohen fotografitë (psh. #peja, #kosova, #plazhi dhe të ngjashme).

Në The Next Web thonë se kjo kompani për momentin ka vetëm dhjetë të punësuar, prej të cilëve dy do të punojnë në aplikacionin për Android. Nga risitë tjera në lidhje me Instagramin, duhet cekuar edhe se në kompani janë duke menduar për reklamimin brenda vet aplikacionit për shkak se shkarkimi dhe përdorimi i tij janë pa pagesë. /Telegrafi/