Telegrafi

Aparatet ortodontike fikse (briketat apo telat për drejtimin e dhëmbëve)

Dr. Arianita Shala – Zeka, stomatologe
Ordinanca Stomatologjike “Dr. Nita”
044 695 002 & 038 754 926
Rr. Eqrem Çabej nr. 9 në Bregun e Diellit, Prishtinë
arianita.shala@gmail.com
www.drnita.webs.com
https://www.facebook.com/drnitashala

Është krijuar një përshtypje e përgjithshme ndër pacientët që aparatet ortodontike fikse që shërbejnë për drejtimin e dhëmbëve, ndihmojnë vetëm për përmirësime estetike, por kjo është vetëm njëra pjesë e së vërtetës. Realisht, aplikimi kryesor i tyre duhet bërë për përmirësimin e malokluzioneve që përfshinë më tepër se estetika. Ajo ka të bëjë me funskionin praktik të gojës dhe aparatit mbështetës te dhëmbëve dhe shëndetit oral në përgjithësi.

Termi malokluzion për herë të parë është përdorur nga z. Eduard Angle që njihet si “babai” i ortodoncisë moderne. Ai ka përshkruar problemin e mospërputhjes së dhëmbëve apo relacionit të çrregullt në mes të dhëmbëve të secilit hark dental, praktikisht problemet në kafshim, në radhitjen e dhëmbëve, vendosjen e tyre dhe zhvillimin e përgjithshëm të nofullës.

Mjekimi i malokluzioneve bëhet përmes aparateve ortodontike mobile dhe fikse; në disa raste edhe përmes ndërhyrjeve kirurgjikale, apo kombinimin e këtyre dyjave. Mos mjekimi i malokluzioneve mund të rezultojë me probleme të shumta, fillimisht pastrimi nuk mund të bëhet si duhet dhe më këtë mungesë të higjienës derivojnë probleme të shumta të dhëmbëve të përmendura në shkrimin tim paraprak (pastrimi profesional i dhëmbëve me ultratingull – https://telegrafi.com/shendetesi/pastrimi-profesional-i-dhembeve-me-ultratingull-51-159.html), më pas kemi kafshim jo të mirë që ndikon në çrregullime të nyjave teporomandibullare, probleme me frymëmarrje, me shqiptim etj.

Këtë herë, do të fokusohem më shumë në mjekimet e malokluzioneve përmes aparateve fikse ortodonike apo siç njihen ndryshe briketat apo telat, do të flasim për avancimet në aplikimin e tyre dhe zhvillimet me të fundit në këtë fushë.

Aparatet ortodontike fikse tradicionale përbëhen nga materiale metalike dhe porcelani, të cilat vendosen fortë në dhëmbë, në dhëmballë ose në paradhëmballë vendoset në formë unaze një përbërje çeliku dhe të gjitha këto lidhen me një hark (tel) duke përshkruar të gjithë dhëmbët e nofullës ku aplikohet aparati. Përmes trysnisë që përbën kjo lidhje mundësohet lëvizja përkatësisht drejtimi i dhëmbëve. Vizitat stomatologjike në këto raste duhet të jenë të shpeshta (çdo tre javë) me ç‘rast bëhet shikimi i lëvizjes së dhëmbëve optimalisht lëvizja është 1-2 milimetra për çdo muaj dhe herë pas herë varësisht nga nevoja ndërrohet harku dhe bëhen ndërhyrje në ligaturat qofshin ato metalike apo të gomës.Por me kalimin e kohës studiuesit dhe shkencëtarët e kësaj fushe e kanë përmirësuar dukshëm teknologjinë e aparateve ortodontike fikse, në shtetet perëndimore pothuajse nuk përdoren më sistemet klasike dhe të gjithë janë orientuar drejt teknologjive të avancuara. Këto sisteme të avancuara të briketave (telave) që njihen edhe si “vet-lidhëse” më nuk i përdorin unazat dhe në këtë formë shmanget resorbimi i rrënjës (problem ky shumë i madh që shkaktohet nga briketat klasike), gjithashtu është minimizuar përdorimi i ligaturave metalike apo elastike të cilat aplikonin trysni të madhe të cilat shkaktojnë inflamacione në indet përreth dhëmbëve dhe kjo përveç problemeve dentale krijon edhe ndjesi jo të mirë.Një problem tjetër që e kemi me aplikimin e aparateve klasike është se në të shumtën e rasteve duhet të largohen çifte dhëmbësh më qëllim të krijimit të hapësirës për dhëmbët që do të drejtohen, nxjerrja e këtyre dhëmbëve (fatkeqësisht shumë herë të shëndoshë) ka bërë që studiuesit të fokusohen në gjetjen e mundësive alternative. Me sistemet e reja nuk ka nevojë që të largohen dhëmbët sepse trysnia harmonike që aplikohet bënë sintetizimin e indit kockorë praktikisht shtohet në mënyrë natyrale kockë pra kemi aplikime të forcave që bëjnë lëvizjen e dhëmbëve ta quaj kushtimisht në mënyrë biologjike. Trysnia që e ushtrojnë këto nuk është traumatike dhe komforti gjatë mbajtjes së tyre është shumë më i madh përfshirë higjienën e cila është për shumë herë më e lehtë për tu mbajtur.Një ndryshim tjetër është bërë në reduktimin e kohës së përgjithshme të trajtimit, sistemet e reja e kanë shkurtuar atë në maksimalisht dhe dallimi është për të paktën 40% apo thënë ndryshe 6-8 muaj më pak, gjithashtu edhe vizitat (kontrollet mjekësore) janë shumë më të rralla jo çdo tre javë, por çdo tre muaj ngase ky sistem është aq i përsosur sa qe shumicën e punës e bëjnë vet pa pasur nevoje për ndërhyrje te shpeshta nga mjeku përgjatë procesit. Poashtu është punuar në aspektin e dukjes së tyre, sot, ortodoncia moderne aplikon briketa shumë më të vogla për nga madhësia, dhe ka trajta përveç metalike edhe qeramike ngjyrë të bardhë që vërehen më pak. Madje kohëve të fundit kemi edhe aparate tjera ortodontike të cilat janë në stadet e para të tyre dhe sapo kanë filluar të jenë prezentë në hapësirat tona, për të cilat do të flasim në shkrimet tjera. /Telegrafi/