Site icon Telegrafi

Anxhela Martini: Kur nervozohem, ha çokollata

Intervistoi: Dashnim Hebibi

Bukurinë që e sheh syri dhe që e ndjen shpirti, është e pamundur ta shprehësh me fjalë. Për të bukurën, është shkruar dhe shkruhet, por nuk thuhet aq sa duhet, sepse tik-taku i zemrës takon të bukurën, është e pamundur t’u jepet shpirt fjalëve.

Anxhela Martini është vajza që ka kapur majat e modës në New York. Ajo është shembulli i suksesit, kur vullneti, kurajo dhe besimi në vetvete ekziston. Ka lindur në Shkodër, shkoi në Zvicër kur ishte 9 vjeçe. Ëndrra e saj ishte gjithmonë që të bëhet modele. Kishte udhëtuar drejt Amerikës qysh kur ishte 18 vjeçe me bindjen se atje është vendi i suksesit të saj dhe po ia arrin qëllimit pasi spektakli “Miss Universe” si duket po i plotëson dhe një ëndërr tjetër bukuroshes.

Personi që i dha shtysën kryesori, ishte fotografi Fadil Berisha, me të cilin edhe realizoi fotot e para.

Në fillim nisi punë në Elite New York Model Management, ku iu besuan disa sfilata të rëndësishme si dhe u kthye imazh i disa prej kompanive më të njohura të modës botërore.
Sukseset e njëpasnjëshme e ndoqën duke firmosur kontrata me kompani të njohura botërore, por edhe duke stiluar për “Dolce &Gabbana”, “Versace” apo “Gucci”.

Për më tepër, le të ndjekim intervistën me të, enkas për portalin tonë.

Pa dyshim, Anxhela, ju jeni vajzë me fat, jo vetëm sepse jeni e bukur, por edhe sepse imazhi i juaj përfaqësoi një komb në “Miss Universe 2010”. A mund të na tregoni diçka mbi këtë eksperiencë?
Fillimisht ju përshëndes dhe falënderoj për këtë bashkëbisedim. Jam shumë e kënaqur që arrita të prezantoj vendin tim denjësisht dhe, poashtu, jam shumë krenare që jo vetëm familja ime, por të gjithë shqiptarët anembanë botës, më kanë përkrahur në maksimum dhe Ju falënderohem nga zemra të gjithëve, kudo që ndodhen. Ishte një ndjenjë e veçantë të përfaqësosh Shqipërinë, me flamurin tonë të bukur kuq e zi, e me shqiponjën dykrenore.

Çka keni përfituar më shumë nga ky eveniment? Të josh më shumë nga puna si modele, ideja e një stadi tjetër financiar, vëmendja e të tjerëve apo kontaktet me persona të rëndësishëm?
Kam përfituar shumë, sepse kam pasur mundësinë që të prezantoj vendin tim, popullin tim. Unë nuk e di pse u radhita e gjashta, por gjithsesi jam e lumtur për këtë Ky ishte fati im dhe unë jam e lumtur.

Bukuria juaj ishte ajo që elektrizoi publikun dhe skenën. Cilat kanë qenë komentet e para nga organizatorët e këtij spektakli?
Nuk është e thënë për një organizator të bëjë komente e komplimente, pozitive, as negative. Vajzat e tjera më kanë dhënë komplimente, duke më pyetur se si e mbaja unë trupin tim në formë, etj.

Si u ndiet kur dëgjuat emrin tuaj, që jeni ndër 10 më të bukurat që vazhdonit garën për kurorën e ‘Miss Universe’?
Unë u ndjeva jashtëzakonisht e lumtur, më dukej jetoja një ëndërr. Çdo gjë shkoi shumë shpejt dhe nuk kishte kohë për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Qëllimi im ka qenë gjithmonë të shikoj përpara për pjesën tjetër të konkurrimit.

Me çfarë përshtypje u kthyet nga ky eveniment i madh bukurie?
Ka pasur kaq shumë gjëra dhe kujtime, sa unë kurrë nuk mund t’i harroj. Ishte përvoja e jetës sime; unë mësova shumë nga vajzat tjera dhe kultura e tyre. Por, kam mësuar aq shumë për veten time dhe për atë çka të ofron jeta.

Si ju pritën në Shqipëri?
Unë, ende nuk pata mundësinë të vizitoj Shqipërinë, meqenëse jam duke bërë intervista në gjithë botën, por në momentin e duhur, do të jem në dispozicion për mediet shqiptare.

U njohët edhe me përfaqësuesen nga Kosova, si kaluat me të në Amerikë?
U takuam, ajo, me të vërtetë ishte një vajzë e ëmbël, e mahnitshme, që vinte nga Zvicra, prandaj të shumtën e kohës flisnim gjermanisht. Unë, besoj, se ajo e bëri një prezantim të denjë dhe i uroj gjithë të mirat.

Tashmë që u janë hapur dyert e (botës), duket se keni zgjedhur portën e Nju-Jorkut?
Unë e dua shumë Zvicrën, kam shumë miq, adhurues që më mbështesin dhe që më duan, ashtu siç i dua dhe unë, por unë u largova nga Cyrihu për në Nju Jork, që të jem pjesë e jetës së modës profesionale.

Folët për bukurinë tuaj, por asnjëherë nuk mjafton bukuria e vetme, e keni gjetur ju partnerin e bukur, të ëndrrave? Kur do të bëhesh nuse?
Ha, ha, ha, një pyetje e drejtpërdrejtë, këto gjëra janë më se miri të rrjedhin me natyrën dhe kur vjen koha e duhur, atëherë të gjitha do të jenë gati. Ju do të jeni të parët që do ta merrni vesh, ju premtoj.

Çfarë ka ndodhur me këtë sferë? Të ka pushtuar zemrën ndonjë princ nëse jo, si duhet të duket ai?
Ai duhet të jetë një njeri i mirë, të ketë dashuri për familjen e tij, të jetë i sinqertë, pa frikë, duhet të më bëjë të qeshur dhe duhet të ketë ëndrra, të jetë vetvetja. Duhet të më dashuroj ashtu siç jam dhe jo të përpiqet të më ndryshojë.

Dukesh shumë provokuese, qoftë në pamje, në veshje. Ndodh që kështu ngacmoni meshkujt?
Tani unë jam një vajze shqiptare dhe eci gjithmonë krenare me kokën lart, mendoj që kjo gjë tërheq shumë njerëz dhe në qoftë se unë provokoj dikë, kjo është diçka që unë nuk jam në dijeni.

Cila është gjëja që do të do të doje ta ndryshoje tek vetja juaj?
Unë e dua veten time dhe për këtë arsye nuk do të ndryshoja asgjë! Në anën tjetër, askush nuk është i përsosur dhe jeta është e mirë kështu. Fjala, ndryshim, është një nga fjalët që unë, nuk e përdori shumë. Më pëlqen të rritem si person, si femër e fortë.

Çfarë muzike dëgjoni për qejfin tuaj, Anxhela? Po, kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Shumicën e kohës e kaloj duke dëgjuar R&B dhe hip hop, kam një përzgjedhje të shumtë nga këngët e mia të preferuar nga artistë dhe kultura, anekënd botës. Vetëm për të dhënat tuaja, unë nuk këndoj në dush.

Sa vëmendje i kushtoni trupit tuaj?
Kur kam kohë, shkoj në palestër tre apo katër herë në javë. Kam një familje të bukur, sigurisht është edhe gjenetike.

E keni privuar veten nga ndonjë ushqim për dietë?
Unë nuk mbaj dietë, mendoj që duhet të hamë çfarë na pëlqen, por duhet stërvitur në palestër rregullisht.

Çfarë është ajo që ju gëzon më shumë?
Ndjenja më e mirë në botë është kur qëndroj me familjen time, unë rigjenerohem kur jam me ata, i dua të gjithë, sidomos nënën time.

Keni neveri nga…
Unë jam me të vërtetë e kënaqur me pjesën më të madhe në jetën time, por meqenëse po më pyesni, po ju them se me të vërtetë, nuk me pëlqejnë era e peshkut dhe njerëzit që janë përherë negativë.

Kur nervozohesh, si vepron?
Unë ha shumë çokollata kur nervozohem, pastaj e marr në telefon, kushëririn tim Spartakun dhe flasim me orë të tëra.

I besoni ëndrrave?
Thonë se ëndrrat janë një pasqyrim i nëndërgjegjeshëm i yni dhe, ato, na afrojnë neve drejt rrugës së duhur. Në një mënyrë, unë i besoj ëndrrave.

Cilat janë preokupimet tuaja aktuale?
Qëllimi im është të jem e lumtur dhe unë dua të jem e suksesshme, jo vetëm në modelim. Kam disa plane që do t’i shpalosi në të ardhmen.

Çka nuk arritëm të të pyesim?
…që unë jam vegjetariane dhe që Fadil Berisha, për mua është njeriu më i mrekullueshëm në botë.

/Telegrafi/

Exit mobile version