Panairi Ndërkombëtar i Lëvizshmërisë në Evropën Juglindore (SEE Mobility), i cili ishte planifikuar të mbahej më 24 dhe 25 prill në Beograd, është anuluar për shkak se kompanitë ekspozuese nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) e konsiderojnë si një rrezik sigurie pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre. Kjo ndodh për shkak se funksionarët më të lartë të Serbisë i cilësojnë individët nga jashtë si armiq.
Organizatori i këtij panairi, Klasteri i Hekurudhave të Evropës Juglindore, njoftoi se kompanitë nga pesë vende të BE-së dhe një pjesë e asociacioneve kryesuese të industrisë hekurudhore evropiane e anuluan pjesëmarrjen, gjë që i detyroi organizatorët të anulojnë panairin SEE Mobility, shkruan N1.
Kompanitë që do të merrnin pjesë si ekspozuese dhe folës theksuan se aktualisht ekziston një rrezik i konsiderueshëm për sigurinë e përfaqësuesve të tyre në Serbi, për shkak të dëbimit të individëve nga vendet e BE-së që marrin pjesë në konferenca ndërkombëtare, një praktikë e zbatuar nga autoritetet shtetërore serbe. Po ashtu, ata përmendën etiketimin publik të drejtorëve të kompanive të njohura evropiane në Serbi.
Sipas njoftimit, ministritë e punëve të jashtme dhe ambasadat e vendeve të BE-së kanë paralajmëruar kompanitë pjesëmarrëse se përfaqësuesit më të lartë politikë të Serbisë kanë akuzuar publikisht Perëndimin, Evropën dhe vendet anëtare të BE-së për organizimin e një “revolucioni me ngjyra” në Serbi dhe i kanë etiketuar të huajt si armiq. Për pasojë, ekziston rreziku që siguria e biznesmenëve që vijnë në Serbi të vihet në rrezik.
Panairi SEE Mobility i këtij viti ishte përgatitur për më shumë se një vit dhe, për herë të parë në histori, në hapjen e tij në Beograd ishin parashikuar të merrnin pjesë si të ftuar drejtorët e tri asociacioneve më të mëdha evropiane të industrisë hekurudhore – Unioni Ndërkombëtar i Hekurudhave (UIC), Unioni i Furnizuesve Hekurudhorë Evropianë (UNIFE) dhe Shoqata Evropiane e Klasterëve Hekurudhorë (ERCI).
Sipas vlerësimit të Klasterit të Hekurudhave të Evropës Juglindore, ky anulim dëmton ndjeshëm imazhin e biznesit të Serbisë, pasi duhen vite për të rikthyer besimin e partnerëve ndërkombëtarë pas anulimit të një ngjarje të tillë të nivelit të lartë. /Telegrafi/