Komuna e Ferizajt ka njoftuar se është ndërprerë kontrata për qira nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës si dhe është anuluar vendimi për punimet për ngritjen e objektit të përkohshëm të Restaurantit në Parkun “Liria”.
Lidhur me vendimin për ndërtimin e këtij restauranti gjatë ditëve të fundit është debatuar mjaftë gjatë nga opozita e shoqëria civile të cilët e kanë kundërshtuar.
Ani pse pëlqimin për ndërtim e kishte dhënë ministria e Bujqësisë, pikërisht Agjencia e Pyjeve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj pari ngritur shqetësime dhe reagime të ashpra.
“Le të shërbej ky rast, që Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministritë përkatëse dhe agjencionet në vartësi të Qeverisë, të mos japin pëlqime, leje apo të ndërmarrin veprime të tilla, pa konsultuar paraprakisht Komunën përkatëse, në rastin konkret Komunën e Ferizajt. Pas kërkesave tona të vazhdueshme, betejave të shumta të Komunës pranë institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve qendrore, sot Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Agjencia e Pyjeve të Kosovës, mori Vendim për Ndërprerjen e Kontratës për qira me personin privat N. G, që parashihte ngritjen e një objekti të përkohshëm – restaurant në Parkun e Lirisë – pronë nën menaxhimin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Komunës.
Gjithashtu, edhe Komuna e Ferizajt, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit, ka anuluar vendimin e datës 16.12.2024, për Leje ndërtimore për parcelën përkatëse sipas kërkesës së N. G.
“Me këtë vendim, mbrohet Parku i Lirisë, duke pamundësuar zhvillimin e punimeve të personit privat në këtë hapësirë publike me interes të jashtëzakonshëm për qytetarët. Falënderojmë qytetarët, organizatat e shoqërisë civile e të gjithë të angazhuarit në këtë qëllim, që forcuan zërin e Komunës pranë institucioneve qendrore për ndërprerjen e kësaj kontrate qiraje të dhënë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Agjencia e Pyjeve për person privat”, thuhet në komunikatë./Telegrafi/