Festivali i teatrit shqiptar “Moisiu”, i paraparë të mbahej nga 20 deri më 27 nëntor do të anulohet për shkak të grevës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e Ministrisë së Kulturës dhe Sportit përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Ndër të tjera shkruhet se Ministria e respekton të drejtën e organizimit sindikal.
“Nga Shoqata Sindikale e Aktorëve kemi kërkuar që ta kursejnë Festivalin Moisiu, pasi ai paraqet interes kombëtar dhe përfshin tri shtete. Nuk e kemi gjetur këtë mirëkuptim nga sindikata.
Andaj, në konsultim me Tiranën e Shkupin, përkundër përfundimit të të gjitha përgatitjeve programore dhe logjistike, jemi të detyruar të anulojmë festivalin për të cilin u bënë shumë sakrifica që të arrinte në edicionin e tretë”, thuhet në postim. /Telegrafi/