Qendra e njohur maqedonase, Pero Antic, që ka bërë karrierë në NBA për Atlanta Hawks, ndërsa tash është pjesë e kampionit të Europës, Fenerbahçe, nuk do të luajë në ndeshjet parakualifikuese të Maqedonisë, ndaj Kosovës e Estonisë.
Njoftimin e ka bërë të ditur portali sportiv maqedonas Gol, që ka cekur se Antic ka biseduar me trajnerin e reprezentacionit Jordanco Davitkov dhe i ka thënë se do t’i bashkohet ekipit vetëm nëse kalojnë ciklin parakualifikues ndaj Kosovës e Estonisë.
Kalojeni këtë raund eliminator dhe do t’i bashkangjitem reprezentacionit, thuhet t’i ketë thënë Antic Davitkovit.
Qendra 34 vjeçare, 211 centimetërshe, ka përvojë të madhe në basketbollin europian, ndërsa në karrierën e tij 3 herë është stolisur me titullin e Euroleague.
Antic, ka shikuar nga afër reprezentacionin e tij në duelin ndaj Bosnjes dhe Hercegovinës.