Tentimet që anija gjigante transportuese “Ever Given” që prej pesë ditësh është bllokuar në Kanalin e Suezit të lëviz, ka bërë që sot timoni dhe hunda e saj të lëvizin paksa, por nuk dihet se në cilin drejtim, ka bërë të ditur sot menaxheri i kanalit, Osama Rabi.
Anija e gjatë 400 metra dhe e gjerë 60, ishte bllokuar në mënyrë diagonale në pjesën jugore të kanalit, kjo për shkak të erërave të forta – duke bllokuar një prej rrugëve ujore më të frekuentuara në botë, dhe kështu ka ndryshuar tregun global, transmeton Telegrafi.
Tentimet që ta lëvizin anijen kanë rifilluar sot, kurse përpjekjet e mëtejme janë planifikuar për sonte dhe orët e para të mëngjesit të 28 marsit, kanë bërë të ditur burime të afërta me zyrtarët e Kanalit të Suezit, duke shtuar se mund të nevojitet të hiqet më shumë rërë përreth anijes me qëllim që të çlirohet plotësisht.
Rabi ka thënë se shpreson se nuk do të ketë nevojë për heqjen e rreth 18.300 kontejnerëve me mallra nga anija, me qëllim që pesha të jetë më e vogël, por janë erërat e forta ato që po e vështirësojnë këtë proces që çlirimit.
“Timoni i anijes ka filluar të lëkundet në drejtim të Suecut dhe është një shenjë pozitive, por erërat e forta po na e vështirësojnë punën”, ka shtuar Rabi.
Gjithashtu është bërë e ditur se anijet që po presin – që në total janë 321 mund të drejtohen kah Kepi i Shpresës së Mirë, që do të thotë udhëtimi do të zgjasë për dy javë më shumë, por deri më tani askush nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë.
Imazhet satelitore tregojnë se si po ecën procesi i çlirimit të anijes që sot ka bërë një lëvizje të vogël. /Telegrafi/