Prokuroria amerikane ka ngritur një aktakuzë kundër një anëtari të organizatës kriminale Yakuza, Takeshi Ebisawa, duke e akuzuar atë, së bashku me një rrjet bashkëpunëtorësh, për trafikim të materialeve bërthamore nga Birmania në vende të tjera.
Sipas aktakuzës, Ebisawa dhe bashkëpunëtorët e tij i treguan mostra të materialit bërthamor në Tajlandë një agjenti të fshehtë (UC-1) amerikan të DEA, duke u paraqitur si një tregtar narkotikësh dhe armësh, transmeton Telegrafi.
Me ndihmën e autoriteteve tajlandeze, mostrat bërthamore u sekuestruan dhe më pas u transferuan në ruajtje të policisë amerikane.
Laboratori i Forenzikës Bërthamore i SHBA më vonë analizoi mostrat dhe konfirmoi se mostrat përmbanin uranium dhe plutonium të shkallës së armëve.
Ebisawa dhe i bashkëpandehuri Somphop Singhasiri, u akuzuan në prill 2022 për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Të dyve u është caktuar masa e paraburgimit.
“Është e tmerrshme të imagjinosh pasojat nëse këto përpjekje do të ishin të suksesshme, dhe Departamenti i Drejtësisë do të mbante përgjegjës ata që trafikojnë këtë material dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA dhe stabilitetin ndërkombëtar”, tha ndihmës Prokurori i Përgjithshëm Matthew G. Olsen.
Punonjësja e DEA-s, Anne Milgram, tha se të pandehurit shkuan aq larg sa ofruan uranium dhe plutonium të shkallës së armëve, duke pritur që Irani ta përdorë atë për armë bërthamore.
“Ky është një shembull i jashtëzakonshëm i shthurjes së trafikantëve të drogës që veprojnë me shpërfillje të plotë të jetës njerëzore. Përgëzoj burrat dhe gratë e DEA-s dhe këtij ekipi të prokurorisë për punën e tyre të palodhshme për të na mbrojtur nga një e keqe e tillë”, tha Migram.
Nëse shpallen fajtorë, ata përballen me burgim të përjetshëm. /Telegrafi/