Telegrafi

Anët ‘e mira’ të krizave ‘të këqija’

Elona Caka,
Psikologe

Tashmë, kemi arritur të jetojmë në logjikën: ‘kam, pra jam’, sikur vlera jonë personale të pasqyrohej në sytë e admirimit të të tjerëve për atë që kemi. Kriza do na detyrojë të ridrejtojmë vështrimin në jetën tonë, nga ‘unë vlej nga vitrina që tregoj’, në ‘unë meritoj për atë që jam dhe ndjej’. Nëse nuk do bëjmë një rishqyrtim tek vetja, ne rrezikojmë një bllokim të brendshëm shpirtëror. Kjo për shkak se ndjenjat e para që krijon kriza janë negative: pasiguria, ankthi dhe frika për të ardhmen. Sigurisht që, skenarët e frikave tona, jo domosdoshmërish, do të vërtetohen.

Por shpesh frika lind frikë dhe kjo me përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe ankthi mund të shndërrohet në panik e dëshpërim, përpara se ne; në të vërtetë, të ndodhemi në kushte të rrezikshme. Por mund të nxisë edhe ndjenja të forta të zemërimit dhe agresionit. Sa më shumë lëshohemi në mënyrë pasive në humor të keq, aq më të zemëruar do të ndihemi. Humori i mirë, apo i keq shpesh është ngjitës dhe reflekton edhe në mjedisin tonë.

Sa më shumë vrenjtemi, aq më shumë e rëndojmë klimën rreth nesh dhe njerëzve që na afrohen dhe zinxhiri vazhdon e zgjatet…Arti i psikologjisë pozitive
‘Çdo gjë e keqe ka edhe një të mirë’. Është art të dallosh pozitivitetin në çdo gjë që ndodh. Këtu guximi do të na vijë në ndihmë edhe një herë. Duke thjeshtëzuar jetën tonë. Dyshoj, nëse në të vërtet na janë të domosdoshme gjithçka që ne konsumojmë. Ne mund të jetojmë mirë dhe me shumë më pak.

Le të mendojmë pozitivisht. Cila është arsyeja që e lemë vetën të bjerë në mjerim dhe melankoli? Është e sigurt që kjo nuk do të na ndryshojë asgjë, vetëm do rëndojë gjendjen dhe do na turbullojë mendimet. Le të zbulojmë vlerën e marrëdhënieve me të tjerët, ndjenjat e vërteta midis njerëzve, sidomos kur nuk ndërmjetësojnë shkëmbimet ekonomike. Atëherë ato janë edhe më të vlefshme.

Paraja nuk është gjithçka. Ajo mund të ofrojë rehati në jetë, kjo është e vërtetë, por kënaqësinë e jetës ne mund ta ndjejmë dhe me një peizazh të bukur, kur dielli perëndon në breg të detit. Sepse, zakonisht gjërat nuk janë kurrë vetëm të zeza, apo vetëm të bardha. Duhet të mundohemi të jemi më të qetë dhe të kemi besim tek vetja, në mënyrë që të kërkojmë zgjidhje alternative në problemet tona. Le të ndalojmë krahasimin e vetes me të tjerët.