Ish-trajneri i Tottenham Hotspur dhe Chelseat, Andre Villas-Boas, është tërhequr nga gara e parë në Dakar Rally, pasi e ka lënduar shpinën gjatë xhiros së katërt në Peru.
Në nëntor të vitit të kaluar, 40-vjeçari u tërhoq nga posti i trajnerit të Shanghai SIPG në Kinë, për të garuar në ‘rally’.
Ai ishte dy orë, 12 minuta dhe 50 sekonda prapa liderit të garës pas etapës së tretë, mirëpo në periudhën e katërt, vetura e tij, Toyota Hilux, goditi një dunë rëre.
Villas-Boas nuk ka thyer asnjë asht, mirëpo është dërguar në spital për ekzaminime mjekësore, pasi e ka lënduar shpinën.
Edicioni i 40-të i garës me 14-të xhiro është vendosur në Peru, ku për herë të fundit është zhvilluar në vitin 2013.
Në këtë vend do të zhvillohen pesë xhirot (etapat) e para, pastaj gara do të bartet në Bolivi dhe do të përfundojë në Argjentinë më 20 janar.
Edhe në kategorinë e motoçiklistëve, kampioni në fuqi, britaniku Sam Sunderland është tërhequr në xhiron e katërt dhe është dërguar në spital pasi e ka lënduar shpinën. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=xkh4_jzKCPM