Andi Zeqiri ka vazhduar me formë të mirë në elitën e kampionatit belg, kësaj radhe duke kontribuar me gol në fitoren e Genkut me rezultat 3-1 ndaj Molenbeek.
Genk luajti sot (e shtunë) ndaj Molenbeekut ndeshjen e cila ishte e vlefshme për xhiron e 26-të në Pro League, duke u rikthyer tek fitoret pas një serie negative të rezultateve.
Zeqiri këtë sfidë e nisi nga banka rezervë, për t’u inkuadruar në lojë në minutën e 64-të dhe për të lënë gjurmë në fund.
24-vjeçari shënoi për 3-1 në minutën e 92-të të takimit pas asistimit të Zakaria El Ouahdi, duke i dhënë fund përfundimisht dilemës së fituesit.
Për këtë gol dhe për performancën e mirë, Zeqiri u vlerësua me notën 7.1 nga SofaScore, ku përveç golit fitoi edhe dy duele.
Ky gol ishte i pesti për Andi Zeqirin këtë sezon, ndërsa ai do të synojë ta vazhdojë këtë ecuri të golave edhe javën tjetër në udhëtim ndaj Charleroit./Telegrafi/