Trajneri italian, Carlo Ancelotti ka folur fjalë të mëdha për gjigantët francezë, ish-skuadrën e tij, Paris Saint-Germain.
PSG janë duke dominuar kampionatin francez këtë sezon duke treguar lojëra të mëdha dhe fitore bindëse.
Gjiganti parisien gjithashtu ka kaluar grupin e Ligës së Kampionëve nga vendi i parë, duke treguar gjithashtu se është njëri nga pretendentët kryesor të trofeut.
Dominimin e tyre nuk e ka lënë pa e vënë re trajneri italian, Ancelotti, i cili në një intervistë të tij ka thënë se PSG mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve, pasi tani kanë në skuadër lojtarë si Neymar dhe Mbappe.
“Paris Saint-Germain kanë gjithçka për të fituar Ligën e Kampionëve”, ka thënë fillimisht Ancelotti.
“Ata kanë Neymarin dhe Mbappen, ata kanë më shumë përvojë dhe cilësi sesa kishin vitin e kaluar, janë më të pjekur dhe të rrezikshëm”, përfundoi italiani.
Ancelotti në të kaluarën udhëhoqi me klubin parisien nga 30 dhjetori 2011 deri më 25 qershor 2013, duke fituar titullin e Ligue 1 në sezonin 2012/13.
Ndryshe, PSG janë në vendin e parë në Ligue 1 me 59 pikë apo 11 më shumë se vendi i dytë, Lyoni, ndërsa në 1/16-tën e Ligës së Kampionëve do të përballen me Real Madridin. /Telegrafi/