Bayern Munichu i Carlo Ancelottit e ka nisur sezonin e ri në mënyrë të jashtëzakonshme. Pesë fitore në pesë ndeshjet e para për kampionët e Gjermanisë, të cilët kanë realizuar 20 gola dhe nuk kanë pësuar asnjë.
Suksesi 5-0 ndaj rusëve të Rostov, në ndeshjen e parë të grupeve të Ligës së Kampionëve, konfirmoi startin fantastik të edicionit nga bavarezët.
Përveç ecurisë së fitoreve radhazi, ajo që befason më tepër te Bayerni në ndeshjet e para zyrtare është lehtësia dhe shpeshtësia me të cilën të besuarit e Ancelottit gjejnë rrugën e golit.
Një mesatare e frikshme me katër gola të shënuar në ndeshje, që e kombinuar me mbrojtjen solide dhe zero golat e pësuar nga Neuer i bëjnë gjermanët të frikshëm për çdo kundërshtar, raporton SuperSport.
Me këto paraqitje, është e lehtë të thuash që italiani i ka fituar zemrat e të gjithëve në Munih, duke filluar nga drejtuesit e klubit, për të vazhduar me tifozët.
Me suksesin përballë Rostov, Bayerni regjistroi fitoren e 13-të radhazi në Allianz Arena në sfidat e vlefshme për kupat e Evropës, duke thyer rekordin e vitit 2008, që mbahej nga Manchester United.
Disfata e fundit e bavarezëve në shtëpi është ajo e sezonit 2013/2014, kur u mposhtën 4-0 në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve nga Reali Madridi.
Skuadra e Bundesligas vendosën gjithashtu një primat edhe për sa i takon fitoreve në ndeshjet e para të grupeve në Champions. Bayerni nuk stonon asnjëherë në startin e turneut, prej 13 vitesh. Të gjitha këto statistika e bëjnë skuadrën e Ancelottit një prej favoritëve absolutë për trofeun kontinental.