Carlo Ancelotti kërkon që Bayerni i tij të përsërisë suksesin e Jupp Heynckes me triumfin e kurorës së trefishtë apo të njohur ndryshe si ‘tripleta’.
Bayern Munich ka një ecuri pozitive në Bundesliga, ku shtatë javë nga fundit kanë dhjetë pikë avantazh nga ndjekësve të RB Leipzig, ndërsa në Kupën e Gjermanisë i pret gjysmëfinalja me Borussia Dortmund.
E vështira për bavarezët vjen në Ligën e Kampionëve, ku në rrugën e Bayernit është Reali i Madridit, por kjo nuk e zbyth trajnerin italian, i cili motivon skuadrën e tij për t’i shkuar deri në fund garave.
“Kur përjeton një moment pozitiv si ky në të cilin ndodhemi, synimi është për ti dhënë vazhdimësi sa më gjatë të jetë e mundur”, ka thënë fillimisht Ancelotti.
“Ndihem i përfshirë në këtë ambient shumë të bukur, dhe në këtë qytet shumë të bukur, Bayerni është një klub fantastik”, përcjell Telegrafi.
“Në këta nëntë muaj të parë jam ndier shumë mirë. Kam gjetur një skuadër shumë të përgatitur dhe kam synuar të përcjell idetë e mia”.
“Në fillim nuk bëmë shumë mirë, por pas pauzës dimërore kemi pasur më tepër rendiment”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/