Site icon Telegrafi

Ancelotti nuk ka dyshime: Man City është skuadra më e mirë në botë

Trajneri i Evertonit, Carlo Ancelotti nuk ishte aspak i dëshpëruar me humbjen e ekipit të tij nga Manchester City, pasi sipas tij liderët e Ligës Premier janë skuadra më e mirë në botë.

Evertoni ishte afër të qonte në vazhdime ndeshjen çerekfinale të Kupës FA ndaj Cityt të shtunën mbrëma në Goodison Park, por u mposhten nga dy gola të vonë.

Golat nga Ilkay Gundogan dhe Kevin De Bruyne ia siguruan Cityt fitoren 2-0 dhe kalimin në gjysmëfinale, por Ancelotti nuk ishte aspak i dëshpëruar pas takimit.

Lexo po ashtu Man City fiton në fund ndaj Evertonit dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës FA

“Ne ishim pothuajse atje, bëmë mirë dhe bëmë më të mirën që mund të bënim. Mbrojtëm mirë dhe për të paktën 80 minuta, kishim ndeshjen nën kontroll”, ka thënë fillimisht Ancelotti për BT Sport pas ndeshjes.

“Unë jam i kënaqur sepse ne u mundëm nga ekipi më i mirë në botë – ata janë më të mirët”.

“Ne donim t’i mbanim ata të pakëndshëm. Sigurisht, ata janë rehat me topin, por ne u mbrojtëm mirë dhe nuk lejuam hapësira. Luajtëm ndeshjen që dëshironim të luanim”.

Lexo po ashtu Man City vendos rekord të ri të klubit për më shumë ndeshje pa humbje radhazi në udhëtim

“Ata kanë stolin më të mirë në botë. Ishte një përvojë e mirë për ne dhe nuk ka keqardhje”.

“Keqardhjet janë ndeshjet kundër Burnley ose ndeshja kundër Fulham, por ne jemi në kohë. Kemi 10 ndeshje në kampionat dhe duam të luftojmë për pozicionin tonë në Evropë sezonin e ardhshëm”, përfundoi italiani. /Telegrafi/

Exit mobile version