Një toga party. Një ballo me maska. Koncerti i parë i Rihanna-s në pothuajse tetë vjet. Një pallat xhami i bërë me porosi dhe një shfaqje dritash me 5500 dronë…
Dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e festimeve në përgatitjen e dasmës së Anant Ambanit dhe Radhika Merchant, e cila do të zhvillohet mes 12 dhe 14 korrikut.
Është fare e kuptueshme që të gjithë sytë janë kthyer tek çifti miliarder dhe ato që ata kanë rezervuar për festimet.
Kush janë Anant Ambani dhe Radhika Merchant?
Dhëndri Anant Ambani, 29 vjeç, është djali i biznesmenit indian Mukesh Ambani dhe Nita Ambani. Ambani është CEO i ‘Reliance Industries’, një konglomerat, bizneset e të cilit shtrihen në të gjithë sektorët e energjisë, komunikimit, tekstileve dhe kimikateve. Me një pasuri neto të vlerësuar prej rreth 120 miliardë dollarë (3 korrik 2024), babai i dhëndrit është ndër dy njerëzit më të pasur në Azi dhe personi i 11-të më i pasur në botë. Në shkurt, Disney bashkëpunoi me Reliance në një marrëveshje prej 8.5 miliardë dollarësh.
Anant, i cili zotëron një përqindje të Reliance, ka një diplomë bachelor nga Universiteti Brown në 2017. Ai ka një motër më të madhe, Isha Ambani dhe një vëlla më të madh, Aakash Ambani. Anant është drejtor jo-ekzekutiv i Reliance. Ai është në bordin e drejtorëve të Fondacionit Reliance, si dhe në bordin e drejtorëve të vetë Reliance Industries, dhe është gjithashtu një nga drejtorët e kompanisë teknologjike Jio Platforms Limited. Më i riu nga vëllezërit Ambani ka një pasuri neto prej rreth 40 miliardë dollarë.
Nusja Radhika Merchant, gjithashtu 29 vjeçe, është vajza e Shaila Merchant dhe Viren Merchant. Viren është CEO i Encore Healthcare, ndërsa Shaila është një nga CEO-t e kompanisë. Sipas Times of India, prindërit e Radhikës kanë një pasuri neto prej rreth 90 milionë dollarë. Radhika u diplomua në Universitetin e Nju Jorkut për Shkenca Politike dhe tani shërben në bordin e drejtorëve të Encore. Ajo është gjithashtu një balerinë klasike.
Kur u fejuan Anant Ambani dhe Radhika Merchant?
Edhe pse fotot e para të të dyve së bashku u shfaqën në vitin 2018 (në të njëjtin vit ata morën pjesë në dasmën e Nick Jonas dhe Priyanka Chopra), Anant Ambani dhe Radhika Merchant zyrtarizuan bashkimin e familjeve të tyre kur morën pjesë në një ceremoni tradicionale Roka në dhjetor 2022 në Tempullin Shrinathji në Nathdwara, Rajasthan dhe familjet lëshuan një deklaratë të përbashkët duke festuar përkushtimin e tyre ndaj njëri-tjetrit.
“Anant dhe Radhika njihen prej disa vitesh dhe ceremonia e sotme nis rrugëtimin formal të martesës së tyre në muajt në vijim”, thuhej në deklaratë, “Të dyja familjet kërkojnë bekimet e të gjithëve dhe urimet më të mira për Radhikën dhe Anantin në fillimin e tyre në këtë udhëtimi të përbashkët”.
Në janar 2023, çifti realizoi ‘Gol Dhana’, një ceremoni në të cilën Merchant u mirëprit në mënyrë simbolike në shtëpinë Ambani në Mumbai dhe që shënoi fejesën e tyre zyrtare. Festa që pasoi, tha Radhika për Vogue, ishte “padiskutim nata më e mirë e jetës sime”.
Në një intervistë për India Today, Anant e quajti Radhikën “personi i ëndrrave të mia” dhe tha se ajo ka ndryshuar këndvështrimin e tij për martesën. “Që në fëmijëri mendoja se nuk do të martohesha kurrë, sepse gjithmonë i jam përkushtuar kujdesit për kafshët”, tha ai, “por kur takova Radhikën, pashë se ajo ndante të njëjtat vlera me mua.”
Radhika i qëndroi pranë edhe gjatë sfidave të tij shëndetësore: “Përveç kësaj, Radhika ishte një shtyllë e fortë mbështetëse në kohët e mia të vështira kur luftoja me probleme shëndetësore. As prindërit e mi nuk më kanë bërë kurrë të ndihem i sëmurë. Edhe kur mjekët hoqën dorë nga disa gjëra, ata nuk e bënë kurrë. Po ashtu Radhika më dha forcë”.
Radhika tha se të dy u prezantuan nga miq të përbashkët në vitin 2017: “Ai takimi i parë krijoi një shkëndijë të veçantë mes nesh dhe nuk vonoi shumë dhe filluam të takoheshim”, tha ajo për Vogue.
Çfarë ndodhi në festën e parë para dasmës së Anant Ambanit dhe Radhika Merchant?
Çifti organizoi dy festa luksoze shumë-ditore përpara dasmës së tyre. E para u mbajt nga 1 deri në 3 mars në pronën e Ambani në Jamnagar, Indi, me rreth 1200 të ftuar. Mes të ftuarve ishte edhe Rihanna, e cila realizoi koncertin e saj të parë pas pothuajse tetë vitesh (për një pagesë që, sipas burimeve të ndryshme ka qenë 9 milionë dollarë). Pjesëmarrës të tillë si Bill Gates, Hillary Clinton, Jared Kushner, Ivanka Trump, Karlie Kloss dhe Mark Zuckerberg, si dhe përfaqësues të botës së biznesit ishin të praishëm në ceremoni. Artistë të tjerë thuhet se përfshinin Akon, muzikantin Diljit Dosanjh dhe magjistarin David Blaine.
Përpara festës, një kod veshjeje me nëntë faqe për ngjarje të ndryshme thuhet se u nda me të ftuarit. Për t’i ndihmuar të pranishmit të dukeshin sa më mirë, ishin në dispozicion makeup artist dhe stilistë flokësh, si dhe ekspertë indianë të veshjeve. Kokteji i mbrëmjes së parë kishte temën e një “mbrëmje në everland”. Disa ditë para mbërritjes së mysafirëve, familjet ofruan ushqim për komunitetin, për 51,000 njerëz. Gjatë festimeve, të ftuarit shijuan 500 pjata të ndryshme të krijuara nga 100 shefa kuzhine gjatë tre ditëve.
Një detaji i paharrueshëm ishte padyshim pallati i xhamit i ndërtuar për këtë rast, i cili kishte për qëllim të ngjallte Palm House të Kopshtit Botanik të Brooklyn, i kompletuar me një tren për të hipur të ftuarit. Pas performancës së Rihannës, çifti qëndroi jashtë deri në orën 7 të mëngjesit.
Cila është festa e dytë para dasmës?
Në fund të majit, çifti dhe rreth 1200 miq, familjarë dhe kolegë – duke përfshirë stilistin Law Roach, i cili kohët e fundit stiloi Isha për kopertinën e Vogue India – hipën në një anije lundrimi në Palermo, Itali, për një udhëtim katër-ditor.
“Ishte një takim mes njerëzve që kontribuan në jetën tonë në mënyra të ndryshme,” tha Radhika për Vogue, “kishte njerëz të moshës nga gjashtë muaj deri në 90 vjeç”.
‘Backstreet Boys’ mbajtën një koncert surprizë. DJ? David Guetta, sigurisht. Fustani i Radhikës ishte në fakt një krijim me porosi 3D nga stilistja Grace Ling, e cila kërkoi ndihmën e mbi 30 artizanëve për ta krijuar atë. Nita Ambani, nëna e dhëndrit, zgjodhi një fustan Schiaparelli, citon Class.
Anija u ndal për një mbrëmje në Kanë, ku të ftuarit shijuan një ballo dhe një koncert surprizë të Katy Perry. Kjo pasoi me një koncert të Pitbull. Në Portofino, festuesit u mirëpritën në një treg të hapur të krijuar posaçërisht për festimet e natës, gjatë të cilit shijuan një serenatë nga Andrea Bocelli. Tenori performoi “Love in Portofino” dhe “Can’t Help Falling in Love”.
Festa muzikore para dasmës
Disa ditë më parë Anant dhe Radhika organizuan festën tradicionale muzikore që bashkon familjet e çiftit. Ata ftuan Justin Bieber të cilin e paguan 10 milionë euro.
Pas gjithë kësaj, kur do të jetë dasma?
Po, dasma nuk ka mbaruar. Të ftuarit do të mblidhen në Mumbai për tre ditë ceremonish dhe festimesh nga 12-14 korrik. Datat u zgjodhën si veçanërisht të favorshme bazuar në datat e lindjes së çiftit. Detajet e asaj që me siguri do të jetë një spektakël nuk janë publikuar, por videot e ftesave të dasmës së çiftit lënë të kuptohet për festën luksoze që i pret. /Telegrafi/