Telegrafi

Analizë – Finalja e madhe e Botërorit

Dueli që do të zhvillohet në stadiumin Soccer City do të vë përballë njëri-tjetrit mjeshtrit më të mëdhenj të globit: truri i Sneijder përballë elegancës së Xavit, kreativiteti i Iniestas kundër vendosmërisë Robben, dhe gjithë kjo në finalen e madhe të Johannesburgut më datë 11 korrik, ora 20:30.

Spanja – Në kërkim të historisë…

Tepër posedim, pak efektivitet, por shumë histori. Kjo është Spanja e këtij Botërori. Ajo që quhet ‘Barcelona e përforcuar me katër lojtarë’, në të vërtetë nuk është e tillë. Është shumë herë më e dobët në krahasim me atë ‘Barcelonë’ të famshme. Sidoqoftë, një përzierje e fatit me qëndrueshmëri ka pasur për produkt një Spanjë, që kishte mësuar nga humbja skandaloze, e që tani gjendet në finale për herë të parë në histori të kombit.

Jo më kot, legjenda gjermane, Franz Beckenbauer, i pyetur në cilësinë e analistit televiziv se çfarë mendon për lojën e Spanjës, tha se kombëtarja iberike luan futboll të bezdisshëm, por këtë duke e mbajtur topin mjeshtërisht. Ky është shkaku pse Spanja arriti deri këtu. Spanja si ekipi që pasoi më së shumti në këtë kampionat, e pati këtë element si faktorin kyç në momentet shumë kyçe.

Rezultatet e fundit të kombëtares së Spanjës:

16 Qershor, Spanjë – Zvicër 0:1
17 Qershor, Spanjë – Hondruars 2:0
25 Qershor, Kili – Spanjë 1:2
29 Qershor, Spanjë – Portugali 1:0
3 Korrik, Paraguai – Spanjë 0:1
7 Korrik, Gjermani – Spanjë 0:1

Formacioni i mundshëm i Spanjës (4-4-2): Iker Casillas, Sergio Ramos, Gerard Pique, Carles Puyol, Joan Capdevila, Sergio Busquets, Xavi, Andres Iniesta, Xabi Alonso, David Villa, Fernando Torres.

Spanja luan me një sistem mjaft stabil në mesfushë. Ky repart është dhe më i forti në kombëtaren e drejtuar nga Vicente del Bosque tejet indiferent. Spanja ka një strukturë mjaft të organizuar të radhëve të veta në fushë, që si pasojë ka vendosjen e mirë të ekuilibrave në të gjitha repartet me dominim të tyre. Spanja është skuadër që njihet me lojën e saj horizontale, tërheqjen e kundërshtarit dhe goditjen e tij pas shpine me anë të pasimeve vrasëse të mesfushorëve gjenial të saj.

David Villa përmendet si futbollisti kyç i Spanjës në finale për shkak të pesë golave të shënuara. Në fakt, e gjithë barra do të bie mbi Xavin që do të ketë për detyrë të vë në punë gjithë mekanizmin e mesfushës dhe të mbajë në funksion një makinë të tërë duke filluar që nga portieri, e duke mbaruar me sulmuesit, të cilët janë përgjegjës për efikasitetin.

Holanda – Në gjurmët e legjendave!

Holanda, ekipi me rendimentin më të lartë të punës, me shpenzimin më të vogël të energjisë, me një saktësi pothuajse të paparë më parë dhe me fatin e madh të shoqëruar me qëndrueshmëri deri në këtë fazë të garës, përbën ekipin e dytë finalist, me plot meritë. Holanda është në kërkim të trofeut të parë, ashtu si edhe Spanja, por gjithashtu është në kërkim të bëjë atë që nuk bënë legjendat si Cruyff dhe Van Basten me shokë, të cilët nuk arritën t’ia japin shkollës më të madhe të futbollit titullin e më të mirit të botës.

Holanda nuk di për humbje prej më se dy vitesh dhe kjo për shkak të përzgjedhësit Bert van Marwijk që i ka dhënë një karakter dhe dimension tjetër kësaj përfaqësueseje. Van Marwijk e ka ditur se këtij ekipi i mungon përqendrimi në mbrojtje në momentet e caktuara.

Holanda ka shumë potencial në sulm, por ka potencial edhe për një mesfushë të hekurt dhe mbrojtje tejet të qëndrueshme, dhe me këtë na ka njoftuar zotëri Van Marwijk. Kjo duket se është formula e suksesit të këtij njeriu: Pak spektakël, shumë stabilitet dhe sukses i garantuar.

Rezultatet e fundit të kombëtares së Holandës:

14 Qershor, Holandë – Danimarkë 2:0
19 Qershor, Holandë – Japoni 1:0
24 Qershor, Kamerun – Holandë 1:2
28 Qershor, Holandë – Sllovaki 2:1
2 Korrik, Holandë – Brazil 2:1
6 Korrik, Uruguai – Holandë 2:3

Formacioni i mundshëm i Holandës (4-2-3-1): Marteen Stekelenburg, Gregory Van der Wiel, John Heitinga, Joris Mathijsen, Giovanni Van Bronckhorst, Mark van Bommel, Dirk Kuyt, Nigel De Jong, Wesley Sneijder, Arjen Robben, Robin Van Persie.

Kur flasim për Holandën, menjëherë na bie ndërmend Brazili. Holanda ka arritur të eliminojë kombëtaren me mbrojtjen më të fuqishme, që në përbërje kishte mbrojtësit më të fortë në botë aktualisht. Megjithatë edhe Holanda ka kampionë. Wesley Sneijder dalë ngadalë është duke grumbulluar trofetë personal, duke rrezikuar dhe Real Madridin sa i përket kësaj sfere. “Sneijd’Or” ka qenë në formë fantastike gjatë Botërorit, ka shënuar 5 gola, ishte fundamental për ekipin në shtrirjen e lojës dhe ekzekutimin e futbollit tipik holandez. Ky është sulmuesi i vërtetë i Holandës; nuk ka tjetër. Wesley Sneijder është një dhe vetëm një – Kandidat kryesor për Topin e Artë.

Njeriu kyç i finales në repartin holandez u përmend më lart, por ky nuk është i vetmi rrezik për Spanjën. Duhet të përmendim një Arjen Robben, prepotencën, aktrimin dhe egoizmin e të cilit shpresojmë të mos e shohim në finale, duke shpresuar të njëjtën gjë dhe për Van Persien, i cili si sulmues i vetëm shënoi vetëm një herë gjatë gjithë garës. Mos të harrojmë edhe Dirk Kuyt, që përkujdeset për kilometrat dhe statistikat e pas-ndeshjes. Dhe mos të harrojnë dirigjentin Van Marwijk, i cili nxjerr më të mirën nga këta lojtarë.

Statistikat Holandë – Spanjë, kokë më kokë:

Holanda – Spanja

GOLAT

12 Gola të shënuar 7
9 Gola nga loja e hapur 6
1 Gola nga ndërprerjet 1

GODITJET

80 Në total 103
41 Në portë 40
28 Mbi portë 46
15% Përqindja goditje/gol 7%

NDËRHYRJET

98 Të shkaktuara 62
98 Të pësuara 106
15 Kartonë të verdhë 3

SULMET

20 Nga e majta 29
15 Nga e djathta 33
25 Nga qendra 35

MBROJTJA

17 Intervenime të portierit 12
53 Pastrim i situatave 38
26 Ndërhyrjet vendimtare 27

PASIMET

3366 Pasime totale 4206
2434 Pasime të kompletuara 3387
72 % Përqindja e kompletimit të pasimeve 81 %

HARKIMET

87 Harkime 146
23 Harkime të kompletuara 40
26 % Përqindja e kompletimit të harkimeve 27 %

Epilogu

Në këtë finale është vështirë të parashikohet fituesi, vërtetë vështirë. Spanja shihet si favorit i lehtë, por statistikat thonë se Holanda nuk do të jetë si Gjermania, por pritet të rrezikojë më shumë dhe të mos e lejojë Spanjën ta ketë topin në këmbë. Dhe nëse spanjollët nuk do ta kenë topin në posedim, rrezikojnë më shumë ta humbin ndeshjen, por nëse ndodhë e kundërta, gjasat për fitore do të jenë më të mëdha.

Një skenar tjetër do të ishin vazhdimet dhe penaltitë. Forma fizike është në anën e Holandës, që është kursyer në shumë ndeshje të lehta, gjë që ishte e kundërta me Spanjën që vuajti ndaj një Paraguai shumë agresiv. Në penalti, përpos fatit, shikohen dhe portierët si faktorë. Iker Casillas ka përvojë dhe njihet si pritës i penaltive, për dallim nga kolegu i tij i palës kundërshtare, Marteen Stekelenburg, që ka pak përvojë dhe nuk njihet si pritës i penaltive. Sidoqoftë, fati do të jetë një nga komponentët kryesorë. ‘Mbreti rast’, siç duket, do të ketë përsëri gisht në një vendim të jashtëzakonshëm, në shkrimin e historisë për një nga kombet që dështoi ta fitonte titullin në histori të tij, në kontinentin Afrikan, i cili për herë të parë ishte mikpritës i botës. /Telegrafi/