Çfarë debakli!
Gjermania ka filluar aventurën e vet me një disfatë të rëndë prej 0-1 ndaj Meksikës në Kampionatin Botëror dhe është buzë eliminimit në ndeshjen e dytë ndaj Suedisë e cila zhvillohet të shtunën në ora 20:00.
Çka duhet të rregullohet brenda 5 ditëve të ardhshme që Gjermania të rikthehet?
Reus në formacion startues!
Ai ka pasur një pjesë të dytë të shkëlqyer sezonale në Bundesliga, ka shkëlqyer në kampin stërvitor të Gjermanisë në Sudtirol dhe përkundër gjithë këtyre, Marco Reus nuk startoi ndaj Meksikës. Sulmuesi 29 vjeçar solli tempo në lojën e Gjermanisë pas inkuadrimit. Për këtë ka nevojë Gjermania të shtunën, por qysh nga minuta e parë e takimit.
Më shumë përkrahje për mbrojtjen
Hummels dhe Boateng janë ndjerë pa mbështetje në mbrojtje ndaj Meksikës. Kjo nuk guxon të ndodhë një herë të dytë. Sidomos mbrojtësit e krahut Kimmich dhe Plattenhardt duhet që të përfshihen më shumë në mbrojtje ndaj Suedisë. Edhe mesfusha duhet t’i mbulojë hapësirat nga prapa.
Më shumë diskutim në fushë
Boateng tha pas ndeshjes ndaj Meksikës se ka pasur mungesë të komunikimit në fushë.
“Ne duhet të flasim më shumë në fushë. Ne kemi pasur 4 ose 5 topa të humbur, ku askush nuk tha asgjë. Nuk shkon kështu”, theksoi Boateng.
Kampioni i Botës i vitit 2014 ka të drejt. Kimmich dhe Plattenhardt e po ashtu edhe Draxler duhet të paraqiten me më shumë maturi, e po ashtu të dëgjojnë nganjëherë edhe yjet me përvojë.
Përmirësimi i balancit
E pabesueshme se çfarë vrima pati mesfusha e Gjermanisë. Ndaj meksikanëve të shpejtë kjo ishte vdekjeprurëse. Kaq të shpejtë nuk janë suedezët. Dallimet mes reparteve ishin të mëdha dhe të gjithë duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin. Në mbrojtje të kontribojnë të gjithë, e në sulm ekipi të jetë më kompakt. Një detyrë mbi të gjitha për Kroosin dhe Khediran.
Të ndalet humbja e topave
Të gjithë kanë shpresuar: Kur të vijë Botërori të gjithë do të jenë të përqëndruar dhe do të jenë në element. Çfarë zhgënjimi… aq shumë topa të humbur ka kohë që nuk janë parë në një ndeshje të Gjermanisë. Në posedim të topit kanë të gjithë lojtarët top cilësi. Këto probleme me topin duhet që të zgjidhen sa më shpejtë.
Pasime në sulm
Sa herë kishte topin Timo Eerner, gjithnjë ishte rrezik për kundërshtarët. Por, ai rrallë herë mori topa, teksa pasimet e fundit, harkimet dhe pasimet shpesh ishin pa vend. Edhe yjet tjera ofensive si Muller, Draxler dhe Reus rallë kanë dalë në pozicione të rrezikshme. Vetëm duke rregulluar këtë, Gjermania shënon së paku një gol.
Tempo në mesfushë
Është e frikshme se sa herë yjet që fituan Kupën e Botës vraponin prapa meksikanëve. Nevojitet më shumë tempo nga Khedira dhe Kroos.
Fund me (shumë) titullarë të sigurt
Ka muaj që kombëtarja e Gjermanisë e ka formacionin 90 për qind të sigurt. A ka çuar kjo në mungesë të konkurrencës? Kampionët e Botës si Khedira, Draxler, Ozil, Muller dhe Werner duhet që në ditët në vijim të luftojnë shumë në stërvitje. Përndryshe, duhet që Joachim Low pa mëshirë t’i lë n stol dhe lojtarë si Goretzka, Brandt, Reus, Gundogan dhe Rudy të vijnë në lojë.
Të tregohet mentalitet kampioni
Gjermanët janë kampionë të botës, e ka kohë që kjo nuk është parë në fushë. Pa frikë, e pa gabime. Gjermanisë i duhet besimi prej kampioni të botës, pikërisht ajo që i solli titullin në vitin 2014.
Muller të kthehet në Mullerin e Botërorit
Muller gjithmonë luan më mirë në Kampionate Botërore, kurse ndaj meksikanëve ai ishte larg një dështim. A duhet që Joachim Low t’ia ndërrojë pozicionin, ta vë prapa sulmuesve? Me këso paraqitje si ndaj Meksikës ai do të jetë larg nga goli i radhës në një Botëror.
Të tregohet ana e ashpër e Lowit
Deri tash gjithmonë është parë i buzëqeshur dhe i qetë, e asgjë nuk e shpërqëndronte nga qetësia. Tash është fundi i qetësisë. Low duhet të tregojë se mund të jetë edhe i ashpër. Në mënyrë që lojtarët të kuptojnë se më në fund puna është serioze. Një humbje e radhës, dhe Gjermania është e eliminuar. /Telegrafi/