Telegrafi

Analisti ushtarak jugkorean: Situata tani është e rrezikshme, mund të çojë deri te konflikti i armatosur

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut, kanë lansuar për herë të parë raketa në ujërat e brigjeve të njëra-tjetrës.

Seuli në një farë forme u hakmor të mërkurën, vetëm tri orë pasi Pheniani lansoi një raketë që ra më pak se 60 kilometra nga qyteti Sokcho në jug të vendit, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër, Cheong Seong-chang, analist ushtarak nga Instituti Sejong në Korenë e Jugut, ka thënë për AFP se lansimi i sotëm i raketave “është demonstrimi më agresiv i armatosur” kundër Koresë së Jugut që nga viti 2010”.

“Situata tani është e rrezikshme dhe jostabile, mund të çojë deri te konflikti i armatosur”, shtoi analisti ushtarak.

E situatën e tensionuar në rajon e komentoi edhe kryeministri japonez Fumio Kishida, i cili theksoi para gazetarëve se lansimi i raketave nga Koreja e Veriut është kërcënim i drejtpërdrejtë.

Ai gjithashtu bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit Nacional për Siguri, si pasojë e rritjes së tensioneve në Gadishullin Korean.

Yaukazu Hamada, ministri japonez i Mbrojtjes, tha se sot Koreja e Veriu lansoi të paktën dy raketa që ranë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë. /Telegrafi/