Napoli mori një fitore të madhe ne udhëtim ndaj Genoas duke fituar me rezultat 2-1 në kuadër të javës së 17-të në elitën e futbollit italian.
Ndër më meritorët për këtë triumf të tyre ishte padyshim edhe kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.
Rrahmani u paraqit për 90 minuta në këtë takim, ku arriti që të shënonte golin e dytë për ekipin e tij në minutën e 23-të.
🇮🇹 First goal this season for Amir Rrahmani!©️
— Kosovar Football 🇽🇰 (@KosovarFootball) December 21, 2024
Pas një harkimi në zonë nga Stanislav Lobotka, Rrahmani u shkëput në mënyrë fantastike në ajër për ta dërguar topin në rrjetë.
Për golin dhe paraqitjen e tij të mirë në këtë sfidë, 30-vjeçari u vlerësua me notën 7.8 nga Sofascore duke u shpallur kështu lojtari më i mirë i ndeshjes.
Përveç golit të shënuar ai pati gjithashtu edhe katër spastrime të topit, dy gjuajtje të bllokuara, 85 pasime të kompletuara dhe pesë duele të fituara.
Ky ishte goli i parë i Rrahmanit këtë edicion të garave në Serie A teksa ka edhe dy asistime./Telegrafi/