Telegrafi

Amerikanët dhe zgjuarsia e Europës

Në vitet e fundit ndërsa Wall Street po “lulëzonte” amerikanët shpesh e konsideronin Europën si një vend për pushime të këndshme dhe dreka e darka të shijshme, por jo për inovacion ekonomik.

Londra mbetet një qendër financiare, por shpesh ajo konsiderohej si një "sukses" i momentit, i nxitur më shumë nga mbërritja e petrodollarëve nga Rusia dhe rajoni i Gjirit, një përjashtim nga pjesa tjetër e kontinentit.

Kjo mënyrë e të menduarit është tashmë përballë sfidës, sepse gjatë 10 ditëve të fundit europianët u shfaqën më mendjemprehtë sesa amerikanët në gjetjen e rrënjëve të krizës së tyre financiare, edhe pse ata nuk kanë qenë shpesh inovatorë.

Pas hezitimit fillestar, liderët europianë nxorën një plan financiar për shpëtimin e ekonomisë, në gjurmët e të cilit po ecën edhe Uashingtoni tani. Kjo ishte e qartë kur Departamenti i Thesarit në SHBA vendosi të hiqte dorë nga plani i tij, ai i miratuar nga Kongresi në fillim të këtij muaji dhe të investonte 250 miliardë dollarë direkt në bankat e vendit.

Të mirat dhe të këqijat e këtij qëndrimi ishin paraqitur disa ditë më parë nga liderët europianë, ndërsa ata përpiqeshin të shpëtonin sistemin e tyre financiar. Dhe këto rezultate bënë që kryeministri britanik, Gordon Braun dhe presidenti Nicolas Sarkozi i Francës, të merrnin një lloj pozicioni drejtues për të pretenduar titullin e njerëzve të mençur.

Ata po flasin tani për krijimin e një marrëveshjeje Bretton Woods për shekullin e 21-të, ndërsa liderët e vendit ku lindi ideja e Bretton Woods pas krizës financiare të post-luftës, New Hampshire, preferojnë të qëndrojnë larg bisedimeve të kësaj natyre.

Sarkozi, që u takua me presidentin George W. Bush në Camp David të shtunën, u tha liderëve europianë që u mblodhën së fundmi në Paris, se "shpresonte shumë në rindërtimin e themeleve të sistemeve financiare". Fred Bergsten, drejtor në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare në Uashington, një qendër e politikave ekonomike, e përmblodhi javën në këtë mënyrë: Kur vjen puna për përgjigjen ndaj krizës, europianët, veçanërisht britanikët, morën drejtimin e situatës dhe SHBA-ja ndryshoi kurs".

Dje tregjet duket se vepruan në përputhje me këtë.

Kur bursat u hapën këtë javë, aksionet europiane ishin fitueset e mëdha. Ato e mbyllën javën me një rritje 8.2 për qind, krahasuar me rritjen 4.5 për qind të Wall Street. Shumë europianë nuk mundën t’u rezistojnë lëvdatave për veten e tyre. "Kapitalizmi europian është më i përgatitur për të përballuar krizën financiare", – shkruante "Trouw", një gazetë holandeze.

Në Londër, ku vullneti i qeverisë britanike për të ndjekur pas SHBA-në në luftën në Irak, ende shkakton zemëratë, zyrtarët u treguan shume të shpejtë për të treguar se nuk po ndiqnin politikën e Uashingtonit këtë herë. "Nuk ka dyshim se kësaj here plani britanik u kopjua në Uashington", – thotë Leon Brittan, që dikur ka qenë Sekretar i Brendshëm, në kohën e qeverisjes së kryeministres Margaret Theçër si dhe një zyrtar i lartë në Komisionin Europian.

"Kjo tregon se koncepti amerikan për Europën është i dalë mode dhe i gabuar".

Europa tregoi se ka më shumë kapacitet për të përballuar krizën se sa SHBA-ja.

SHBA-ja kaloi agoni në mungesë të një plani. Europa, në fakt ka shumë probleme të tjera; papunësi të madhe dhe një ngadalësim të progresit ekonomik të zgjatur, ndërsa vende si Britania, Irlanda, Spanja dhe të tjera "vuajnë" vetë nga "lulëzimi" i biznesit të shtëpive dhe blerjes së tyre me kredi.

Por, fakti se Franca dhe Gjermania, Zvicra, Spanja dhe Britania po mendojnë të përdorin një fond prej 1 trilion dollarësh për të shpëtuar institucionet e tyre financiare, sfidon të gjitha idetë se bankierët europianë ishin më pak të zgjuar dhe të kujdesshëm se homologët e tyre amerikanë.