Site icon Telegrafi

AMC dhuron pajisje për pediatrinë e QKMF-së në Istog, përmirësohet shërbimi për fëmijët

Organizata Action for Mothers and Children (AMC) ka bërë një tjetër donacion të rëndësishëm për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Istog, kësaj here për repartin e Pediatrisë.

Me një vlerë prej 15,381.00 euro, donacioni përfshin pajisje dhe mjete mjekësore të avancuara për të përmirësuar cilësinë e trajtimit dhe kujdesit ndaj fëmijëve.

Në ceremoninë e dorëzimit mori pjesë Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ndërsa donacioni u pranua nga Drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë, Zenel Shatri dhe drejtori i QKMF-së, Mujë Osmanaj.

Pajisjet e dhuruara përfshijnë matës të shtypjes së gjakut për fëmijë, termometra digjitalë, ambu balon për të porsalindur, maska oksigjeni, inhalator, analizator për CRP, monitor pediatrik, EKG, karrocë transportuese dhe shumë mjete të tjera thelbësore.

Ky donacion është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për fëmijët në Istog, duke garantuar një trajtim më cilësor dhe më të sigurt për të vegjlit që kanë nevojë për kujdes mjekësor./Telegrafi/

Exit mobile version