Site icon Telegrafi

Ambulanca interne e pensionistëve në Prizren rinovohet me mbështetjen nga TIKA

Hapësirat e ambulancës interne të Organizatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren janë përuruar, të enjten, në praninë e zyrtarëve të lartë të nivelit qendror e lokal, drejtuesve të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe diplomatëve nga Turqia.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi ka pohuar se me mbështetjen nga TIKA, është përmbushur kërkesa e pensionistëve për renovimin e hapësirave të ambulancës interne në OPIP, “duke siguruar shërbime shëndetësore falas për pensionistët e Prizrenit”.

“Ky projekt u iniciua para gjashtë muajsh dhe sot kemi kënaqësinë ta përmbyllim me sukses”, ka thënë Rexhepi, teksa ka shprehur mirënjohje për Agjencinë Turke dhe Dr. Mahmut Çevikun nga Ankaraja për mbështetjen financiare, raporton Telegrafi.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka mirëpritur jetësimin e këtij projekti, duke shtuar se në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe QKMF-në kjo ambulancë interne “do ta lehtësoj sadopak situatën e Organizatës së Pensionistëve”.

Nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik ka shprehur kënaqësinë për jetësimin e këtij projekti, pasi sipas tij kërkesa për një gjë të tillë ka ardhur drejtpërdrejtë nga pensionistët e këtij qyteti.

Ndërkaq në emër të pensionistëve, kryetari i OPIP në Prizren, Jusuf Vraniqi ka shprehur mirënjohjen për realizimin e këtij projekti, që sipas tij do ti shërbej nevojave të komunitetit të moshuarve, raporton Telegrafi.

Rreth gjashtë muaj më parë, zëvendëskryeministrja Rexhepi, së bashku me nënkryetarin e TIKA-s, Mahmut Çevik, patën vizituar Organizatën e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Prizren.

Lexo po ashtu Zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe të TIKA-s shqyrtojnë mbështetjen për komunitetin e pensionistëve në Prizren

Gjatë takimit me komunitetin e të moshuarve ata patën diskutuar rreth mundësive për përmirësimin e kushteve dhe funksionalitetit të hapësirave të organizatës, duke synuar mbështetje të mëtejshme për pensionistët. /Telegrafi/

Exit mobile version