Site icon Telegrafi

Ambasadori i poezisë shqipe…

Intervistoi: Albana Haxhimustafa – Murseli

Fahredin Shehu është Ambasador i Poetëve për Shqipëri “Poetas del Mundo”, Santiago de Chile, anëtar i Asociacionit Botëror të Poetëve, Greqi, Anëtar i Këshillit të librit dhe Botimeve pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Anëtar i PEN Qendrës së Kosovës. Poezitë e tij janë të botuara në Antologji botërore, revista letrare, kulturore dhe shkencore si Mobius Magazine në New York, Istanbul Literary Review në Stamboll, World Poets Quarterly në Pekin ehe World Living Poets Lexicon financuar nga UNESCO, poashtu në Pekin, Kinë, Auillrelle në Bruksel, RAL, M Magazine në Paris, Gray Scale në Nigeri, në Antologjnë Spanjolle, Brazil, Kil, Portugali etj, shumë Antologji…; nga Festivali i Poezisë në Lodeve, Francë, Strugë, Malta, Nazareth, Ballkan Poets në Beograd e kështu me radhë. Ka kumtuar shumë referate në shumë kongrese botërore lidhur me Filozofi, Letërsi dhe Misticizëm, si në Kajro, Teheran, Qom, Isfahan, Bruksel, Shkup, Stamboll, Canakkale etj. Mbi të gjitha është baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm, Tamarës dhe Reisit.

Do t’i shtonit edhe diçka këtij prezantimi?
Po do të shtoj edhe diçka që duhet të potencohet për ta respektuar lexuesin tuaj. Kam ekspozuar kaligrafi në Kajro dhe shkruaj vështrime estetike për Artin pamor. Jam i katalogizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Shqipërisë, Kroacisë, Serbisë, Bayern dhe Egjiptit.Arti i kaligrafisë dhe poezia mistike shpirtërore janë pothuajse të panjohura në Kosovë, ndërsa ju konsideroheni mjeshtër i këtyre dy fushave. Si arrini t’i kultivoni paralelisht të dyja?
Shumë natyralisht. Flas për traditën shpirtërore të trashëguar, kujtoj se para më se 300 vitesh stërgjyshi im ka shkruar poezi mistike, po ashtu jam rritur në Rahovec, ku ka disa tradita mistike, andaj në këtë garë mendimesh dhe doktrinash, mendësia e njerëzve dallon nga ato të rajoneve tjera të Kosovës. E gjithë kjo ka ndikuar në formimin tim shpirtëror dhe me hulumtime të mëtejme, lexime të shumta, observimet dhe kontemplacionet, krijohet një mundësi për kultivimin e një arti më të veçantë. Ndoshta ka ndikuar edhe trashëgimia e lashtë ilire e kultivimit të hardhisë së rrushit, pastaj edhe preparatet kozmetike, e shumë e shumë zeje tjera, sigurisht se ndikon në formimin e një mendësie dhe vetëdije më të qytetëruar. Shpesh edhe nga metodologjia e kultivimit të hardhisë kam bërë analogji edhe me poezinë, se një poezi që të jetë më cilësore nuk duhet të ngarkohet me fjalë, figuracione, motive, etj. Një lloj si një lastar i hardhisë, i cili për të dhënë frutin më cilësor të rrushit duhet të shartohet, kitet, lihet në gixhë, apo herret nga tepricat, madje edhe të largohen kokrra nga kalaveshi, që kokrrat tjera të jenë më të mëdha, më të shijshme etj. Prandaj kur këtë e aplikoj në Poezinë time, ajo ndodh që të absorbohet aq mirë sa që njerëzit e përvetësojnë dhe shpesh citojnë madje pa ma përmendur emrin, një varg u bëhet pjesë e vokabularit më tej edhe të diskursit të përditshëm.

Lidhur me Kaligrafinë, po them se edhe ajo rrjedh në mënyrë fluide nga shpirtënia ime. Poezinë të cilën dua ta krijoj në një moment kur më paraqitet një vizion, unë e transformoj në pikturë, duke e kristalizuar në poezi, andaj kam thënë se Kaligrafia për mua është kristalizimi i fluidit kreativ poeti. Krahas frymëzimit, dijes dhe observimit duhet edhe një dozë bajagi e madhe e mbëltimit të Hyjnorës dhe Pasioni që të krijohet një Poezi apo madje edhe një Kaligrafi dhe kjo në mënyrë paralele.

Njiheni si ekspert i letërsisë transcendentale dhe hulumtues i trashëgimisë shpirtërore botërore. Çfarë do të thotë për ju kjo eksperiencë dhe ku fshihet misteri i shpirtërores?
Kjo temë është aq e gjerë dhe aq komplekse sa që duhet një hapësirë shumë e madhe për t’u elaboruar dhe më vonë për t’u kuptuar. Unë do të përpiqem që sa më thjeshtë dhe më qartë të shpjegoj nëse e arrij këtë, në vetëm disa fjalë.
Kam studiuar mjaftë dhe në të gjitha traditat shpirtërore kam gjetur esencën e misterit shpirtëror. Prandaj, asgjë njerëzore nuk është e huaj për mua, është një thënie latine ‘Nilil Humani ame alienum puto’. Flas në kontekstin e vërtetësisë shpirtërore.
Gjithsesi është një përvojë interesante duke pasur parasysh kohën dhe vendin në të cilin po jetojmë, pastaj trendi i dinamikës jetësore, zhvillimi teknik e teknologjik, etj.
Unë, konsideroj se misteri i shpirtërores fshihet në quintesëncën njerëzore. Njeriu është e vetmja krijesë e Zotit e cila e ka vullnetin e lirë dhe ka aftësi të vendimmarrjes, ka aftësinë e krijimit dhe rikrijimit, ka aftësinë e të folurit dhe kjo ndoshta është kryevepra e evolucionit, madje edhe të involucionit human. Konsideroj se është fjala, diskursi, fenomen më i abuzuar nga vet njeriu. Këtu qëndron Gënjeshtra dhe Plagjiatura.Një matematikan më pat pyetur, lehtë e keni ju shkrimtar, me fjalë mund të thoni çka të doni, por në matematikë 1+1 është 2. Po kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës, por sado që dikush thotë që e ka mendjen praktike, është ateist apo materialist, matematikan dhe ithtar i shkencave ekzakte, ai prapë flet me grema dhe fjalë e jo me numra e formula matematikore. Madje kur flasim për ekzaktësinë matematikore, unë nuk e ndal asnjë matematikan ta mas + – infinitivin apo ta imagjinoj një numër, sepse e dimë se ka numër imagjinar. Nëse ai ka të drejtë ta imagjinojë një numër, atëherë unë kam drejtë po ashtu të imagjinoj se ka Zot, dhe të besoj e krijoj gjërat e bukura, sepse Zoti është i bukur dhe e do bukurinë.

Shkenca ende duhet të emancipohet që të kuptojë kuintesencën e realiteti kozmik. Ashtu si Ligji i Njutonit është ndërtuar ligji i fizikës kuantike dhe asnjëra e as tjetra nuk mohohen, por jetojnë në simbiozë. Për këtë duhet implikuar Inteligjencën intuitive e cila duhet të emancipohet nga Inteligjenca aktive e deri tek niveli i Inteligjencës së Adeptit.

Botimet tuaja, çfarë kanë të përbashkët dhe çfarë i dallon me njëra-tjetrën?
Oqeani i shpirtërores është shumë më i madh dhe më i gjerë se Oqeanet, të cilët ne mund t’i navigojmë apo masim. Prandaj, unë kam shumë hapësirë për të krijuar dhe secili botim dallon njëri nga tjetri, sepse edhe psikologjikisht, mentalisht dhe shpirtërisht jam në një meditim aktiv e dinamik dhe në evolucion permanent. Andaj, edhe mund të vërehen nuancat; natyrisht për ata të cilët i dallojnë mirë ngjyrat dhe nuk janë të ftohur, por erëmojnë parfumin e këtij lloji të vargut.
E përbashkët është platforma shpirtërore e paeksploruar dhe refleksionet e kësaj platforme në rastin tim, në trajtë të fjalës së shkruar, poezi prozë, apo fjalës së pikturuar, qëndisur, gravuar, në trajtë të kaligrafisë.
Dallimi është në senzibilitet, në çastin “Tash” dhe “Këtu”, etj.

E veçanta e krijimtarisë suaj është se, i thërrisni poezisë transcendentale, mistike, e jo asaj epiko-lirike siç jemi mësuar t’i dëgjojmë rëndom. Është ky fakti që veprat tuaja janë më të njohura jashtë vendit se sa në Kosovë, apo…?
Po, pikërisht kjo. Në botë emrat si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, janë të njohur, tek ne këto janë të panjohur andaj kultivimi i një poezie/arti të tillë tek në krijon refuzim. Dua të them se realiteti im është shumë ngjyrësh, shumë dimensional, dhe shumë lëndor, unë nuk shoh bardh e zi, por është paleta e gjerë e ngjyrave, ngjyrave bazë dhe nuancave. Madje, dalloj edhe humnerën e cipërs dhe sipërisë, bazën, mesin dhe kulmin, si tek parfumi simfonikisht i kompozuar, ku ka esencën bazë, esencat e mesit dhe esencat sipërore. Prandaj themi se një parfum është cilësor, ai që i ka këto shtresa dhe nuanca. Një poezi e tillë e cila ka shtresa dhe nuanca, ku implikohet dashuria ndaj të gjitha krijesave të Perëndisë, ku matematikisht përdoret secila fjalë dhe asaj i kushtohet vendi dhe hapësira adekuate sa që shndërrohet në simbol dhe ikonë.
Tek ne kurrë nuk është përkthyer poezia e Solomon Ibn Gabriolit, Henry Thorreu, Upanisada, poezia e Galibiut, Enuma Elish, poezia e Hafizit, poezia e Alistair Crowley, Imrul Qaisi, Libri tibetan i të vdekurve, Kebra Nagast e Etiopisë, e shumë e shumë të tjerë, prandaj edhe lëngon formimi shpirtëror dhe intelektual tek artistët tanë. Fatkeqësisht poezia është shndërruar në estradë dhe këtu përfundon.

Çfarë i bën të veçantë botimet tuaja dhe çfarë shtrirje territoriale kanë arritur ato deri tani – ku janë botuar dhe lexuar?
E veçanta kryesore është origjinaliteti, përkatësia etnike, formimi intelektual shumë dimensional, meditimi, që të gjitha këto ndikojnë në gjithë këtë veçanti. Një krijesë komplekse për dallim nga amebat janë shumë qelizore, andaj sinergjia e të gjitha këtyre krijon harmoninë dhe unitetin në llojllojshmëri.
Kur jemi tek origjinaliteti them se duhet të jesh vetja, jo sikur pula e dekoruar me puplat e palloit. Por llojllojshmërinë e ngjyrave të puplave tuaja, duhet ta arrish vetë e vetë të bëhesh palloi. Kur jemi tek palloi, unë kam bërë një poezi të mrekullueshme të cilën e ka përkthyer akademiku francez Athanase Vantchev de Thracy, në gjuhën frënge dhe botuar në mëse 20 revista elektronike frankofone nga kritiku dhe botuesi francez Marc Galan. Është fjala për poezinë Palloi i bardhë, ku flas për puplat, bardhësinë dhe se si ai transfomohet dhe fiton ngjyrat e mrekullueshme të puplave të tij.
Ai që ka lexuar librin tim ‘Shumësi e padukshme’ e di për çka e kam fjalën. Madje kam krijuar edhe poezi të nivelit nano, nano/ poezi, kur vetëm titulli dhe një fjalë e vetme apo grafikon krijon tek lexuesi portal të ri kontemplacioni.
Gjeografikisht mund të them se kanë shtrirje interkontinentale, në Lindjen e largët Mongoli, Kinë, Indi, pastaj në Turqi, në Evropë, në Amerikën Veriore dhe Jugore, në Afrikë.

Sipas jush, sa përkon me realitetin thënia: “Individi është ai që e çon botën përpara”?
Është individi ai që e ka çuar botën përpara, prej Steve Jobs, nëpërmjet Anjshtajnit, Galileos, Van Ghog, Da Vinci, Amenhotep, Bhudda, e deri tek Adam Kadmon dhe vet Adami; është individi ai i cili fillimisht ka qenë i përbuzur për idetë revolucionare që më pastaj nga po këta të paemancipuar, përbuzës permanent, janë mbëltuar si Hyjni. Jezuin e gozhduan, Muhamedin e përzunë nga Mekka, Giordano Brunon e dogjën.

Krijimtarinë e shikoni si një rrugë drejtë karrierës, apo nevojë shpirtërore?
Jam shumë rehat në këtë pikëpamje. Më kohë i kam dalluar këto të dyjat dhe, për secilën e jap nga një tas të peshores, të majtin dhe të djathtin. Vetë fakti se nuk jam në asnjë antologji të Kosovës dhe të Shqipërisë, gjë më krijon satisfakcion të veçantë, është dëshmi se nuk po krijoj karrierë me shkrimet dhe librat e mi. Nuk shkruaj për sot, as për pas dhjetë vitesh. Kritikët në Serbi kanë thënë: ”kjo është fjala e përhershmërisë, këto nuk janë vargje të cilat do të lexohen sot, por në të ardhmen”.
Unë punoj ashtu që poezia ime siç lexohet sot nga disa, pas disa shekujsh do të lexohet me të njëjtën freski, si Haiku i Issa dhe Basho, apo Kasida e Imrul Qaisit, Masnavi e Rumiut, apo Rubaira e Khajamit. Sepse ka imazh, figurë stilistike, metër, ritëm i cili është kardiak, i cili e përcjell vetëm impulsin kozmik kreativ dhe ky reflekton në qenësinë time e cila më vonë ato i përçon në fjalë.

‘…Neve na mungon vokabulari tokësor për çështje qiellore’. Është motoja e juaj e preferuar. Çfarë dëshironi të thoni me këtë fjali?
Vetëm të vërtetën, asgjë më shumë. Kjo thënie tek unë ka eruptuar ka një kohë të gjatë. Tek romani ‘Nektarina’ të cilin e kam punuar plot 4 vjet, për shembull kur kam dashur ta përshkruaj personalitetin e Jezuit, nuk kam gjetur fjalë adekuate. Prandaj është dashur ta farkoj vetë, kur një krijesë e Zotit si Jezui, në tërësi e shuan epshin dhe arrin nivelin e engjëllit. Pra, shuarja totale e libidos. Unë, kam gjetur një fjalë për të cilën kam shkruar edhe një poezi, e ajo fjalë është “Angeloid”, një entitet gjysmë njeri gjysmë engjëll.
Tevona, për përshkrimin e vizioneve dhe të përsiatjeve të mia më mungon vokabulari, nuk kam fjalë dhe në fjalorët e gjuhës shqipe nuk ka fjalë që do ta përshkruaja saktë atë që shoh dhe po këtë kur dua t’u transmetoj të tjerëve. Të gjithë të tjerët që hasin në këtë problematikë, përdorin analogji, por larg është analogjia nga realiteti. Një fëmije nuk mund t’i flasësh për kënaqësinë gjatë aktit seksual, por i thua se është sikur çokollata, apo ndonjë kënaqësi që ai e ka të njohur dhe më të përafërt. E sa larg është akti seksual prej kënaqësive të fëmijës para pubertetit, e dimë në të rriturit. Edhe në Zhvillimin shpirtëror, deri tek arritja e Matanoia-s, respektivisht pjekurisë shpirtërore, doemos duhet të përdoret analogjia, me diçka më të përafërt për t’u receptuar më lehtë një fenomen i tillë.
Kur’ani është përplot me analogji. Aty thuhet se në botën tjetër do të ketë verë nga e cila nuk dhëmb koka dhe nuk të deh, apo qumësht që nuk prishet, apo mjaltë me bollëk, po çka i duhet shpirtit vera, mjalti apo qumështi. Drita ushqehet vetëm me dritë dhe asgjë nuk humb nga vetvetja.A keni diçka të veçantë që dëshironi t’i thoni lexuesve tuaj?
Po. Kam. Madje. Shumë. Por. Do. Të. Ndalem. Në. Vetëm. Disa. Pika. Me qëllim kam vënë pikë mbas secilës fjalë këtu që lexuesi të ndalet dhe të lexoj me kujdes. Në këtë mënyrë krijoj edhe efekt psikologjik edhe gjatë leximit. Kam paragraf të caktuar në roman, apo edhe strofë të tërë të artikuluar në këtë mënyrë, sepse në mënyrë instinktive lexuesi mbas secilës pikë, me inercion edhe lexon më ngadalë.
Lexuesit i them atë që i kam thënë vetvetes që nga vetëdijesimi im i parë për ekzistencën time, Shkenca, Morali dhe Dashuria, janë peri virtual tribojësh, i cili duhet të lidhet në konop e të pështillet në një litar të fortë që të të lidh për hyjnoren, për zhvillimin vertikal të psikologjisë personale, për sukses horizontal në jetën e shkurtë në këtë planet.
Për këtë litar, dua ta shoh të mbajtur fort secilin lexues timin.

Çka mund të pres lexuesi nga ju në të ardhmen, është fjala për ndonjë vepër të re?
Kam planifikuar që më 20 dhjetor të këtij viti ta bëj promovimin e romanit më të ri HOJET, Librin PENDA, i cili u botua në Beograd nga shtëpia botuese “Arhipelag” dhe PEN Qendra e Serbisë, si dhe Medaljen nga Filipine. Plani është që këto të promovohen në Prizren, pas kthimit nga Beogradi ku kam prezantimin e librit PENDA, në lokalet e PEN qendrës së Serbisë.

Keni marr ndonjë çmim letrar në Kosovë apo jashtë?
Jo në Kosovë, asnjëherë, por jashtë po, po pres medaljen e artë dhe mirënjohje nga Filipinet, që akordohet për Poezinë si urë lidhëse mes popujve, nga Axlepin Publishing në Filipine. /Telegrafi/
 

Exit mobile version