Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves të mërkurën në Prizren ka vizituar radion që transmeton program në gjuhën rome, “Romano Avazo”.
Sipas njoftimit të kësaj radioje, kjo vizitë ka shërbyer për përforcimin e bashkëpunimit të gjatë përmes British Council, raporton Telegrafi.
“Gjatë takimit u theksua rëndësia e hapësirave të rikonceptuara të radios në format multifunksional, duke vendosur në qendër nevojat e komunitetit rom dhe rolin vendimtar të radios në informimin dhe mbështetjen e tyre në kontekstin medial”, thuhet në njoftimin e radios “Romano Avazo”.
Aty është theksuar angazhimi për përfaqësimin e drejtë të dhe të barabartë të komunitetit rom në shoqërinë kosovare.
“Bashkëpunimi medial është kyç për përmirësimin e pluralizmit dhe për të siguruar që zëri i komunitetit rom të dëgjohet dhe të përfaqësohet në mënyrë të drejtë dhe të qartë. Kjo përpjekje nxit më shumë angazhim dhe transparencë, duke kontribuar në një shoqëri më të barabartë dhe më të përfshirë”, thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, ambasadori Hargreaves është shprehur mirënjohës për mikpritjen e aktivistëve e gazetarëve romë në Prizren. /Telegrafi/