Site icon Telegrafi

Ambasadori Hargreaves në Mamushë dhe në Dragash interesohet për integrimin e komuniteteve dhe zhvillimin ekonomik

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka njoftuar se ka vizituar Komunën e Mamushës dhe atë të Dragashit, ku është pritur nga përfaqësuesit e pushtetit lokal.

Gjatë këtyre vizitave ai është interesuar për zhvillimin ekonomik dhe integrimin e komuniteteve që jetojnë në këto dy komuna të rajonit të Prizrenit.

Gjatë vizitës në Komunën e Mamushës, ambasadori Hargreaves ka takuar kryetarin Abdülhadi Krasniç, me të cilin ka diskutuar për kontributin e komunitetit turk në zhvillimin ekonomik dhe social të Kosovës.

Në të njëjtën kohë ka vizituar kompaninë SafeCargo Kosovo dhe fabrikën e përpunimit të ushqimeve të konservuara “Green Food”, të cilat eksportojnë produkte në rajon dhe në Bashkimin Evropian.

“Mamusha mund të jetë një nga komunat më të vogla të Kosovës, por është plot jetë dhe potencial”, është shprehur ambasadori Hargreaves.

Në anën tjetër kryetari Krasniç ka pohuar se ka informuar ambasadorin britanik “për ndikimin e qytetarëve të kësaj komune në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sikurse edhe për aktivitetet për zhvillimin e bujqësisë dhe për projektet e angazhimet e Komunës”.

Ndërkaq, në Komunën e Dragashit, ambasadori Hargreaves është pritur nga kryetari Bexhet Xheladini, dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit lokal.

Sipas njoftimit të Komunës, kryetari Xheladini ka theksuar se “Dragashi është shembull në Kosovë për kulturën e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve”.

Aty thuhet se ambasadori Hargreaves ka theksuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për qytetarët e kësaj ane.

Hargreaves ka bërë të ditur se nga zyrtarët komunalë të Dragashit është informuar lidhur me diversitetin etnik në këtë komunë. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version