Ambasada e Serbisë në Moskë të Rusisë ka organizuar një event për të shënuar 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë e cila asokohe po kryente masakra mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë.
Në këtë ngjarje u zbulua një pllakë me mbishkrimin “Ne mund të falim – nuk do të harrojmë” dhe u prezantua libri “NATO para gjykatës së historisë”, transmeton Telegrafi.
Një minutë heshtje u mbajt ndërsa ambasadori serb Momqillo Babiq tha se Serbia pagoi një çmim të lartë për guximin e saj.
“Ne nuk kërkojmë të pamundurën, jemi një komb i vogël, por krenar. Për shkak të krenarisë sonë humbëm një të tretën e popullsisë sonë në Luftën e Dytë Botërore. Shkencëtarët seriozë e kanë vërtetuar se, po të mos kishim luftuar për liri, tani do të ishim 20 milionë”, tha Babiq.
“Ne jemi të rrethuar nga të gjitha anët nga vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ne po përpiqemi të mbrojmë të drejtën tonë për ekzistencë dhe pavarësi dhe të mbrohemi nga çdo lloj konflikti”, tha ndër tjera ambasadori serb në Rusi. /Telegrafi/