Site icon Telegrafi

Ambasada britanike në Beograd: Disa elementë në Serbi funksionojnë në interes të Rusisë

Britania e Madhe nuk e konsideron Serbinë si shtet “argat” i Rusisë, por se elementë të caktuar në vend veprojnë drejtpërdrejt në interes të Rusisë.

Kjo ka qenë përgjigja e ambasadës britanike në Beograd, dërguar mediave në Serbi, përcjell Telegrafi.

“Ne besojmë se në Serbi ka elementë që veprojnë drejtpërdrejt në interes të Rusisë duke kërcënuar stabilitetin dhe kapacitetet demokratike të rajonit”, citohet të jetë thënë në fillim të përgjigjes.

Megjithatë, deklarata ka shtuar se “Serbia është shtet i pavarur, sovran”.

“Mbretëria e Bashkuar ka bashkëpunuar me Serbinë për një sërë prioritetesh të përbashkëta për një kohë të gjatë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, citohet të ketë thënë më tej ambasada.

Siç raportojnë mediat serbe, përgjigja e ambasadës britanike ka ardhur pas deklaratës së kreut të diplomacisë britanike, David Cameron, në Komitetin e Politikës së Jashtme të parlamentit britanik.

Ndryshe, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë të mërkurën se ishte i zhgënjyer nga deklarata e Cameron dhe shtoi se “Serbia nuk është përfaqësuese e Rusisë, Amerikës, Britanisë, Gjermanisë apo kujtdo tjetër, por një vend i pavarur”.

Nga a ambasada britanike, mediave serbe u është thënë se Cameron “tregoi elementët brenda Serbisë që ata besojnë se po punojnë drejtpërdrejt në interes të Rusisë, dhe jo të vetë shtetit të Serbisë”. /Telegrafi/

Exit mobile version