Telegrafi

Altin Ukshini, shqiptari që ngrit komunitetin “Open Source” në Louisville

Edhe pse ende në shkollë të mesme, Altin Ukshini sot zuri vend në ballinën e http://www.louisvillecardinal.com/ duke treguar për punën që ka bërë për MOSSCon, që do të mbahet me 18 dhe 19 maj në Swain Student Activities Center në Louisville, SHBA – konferenca mirërpret fillestarë, por folësit do të jenë me tema më të avancuara. Ligjëratat do të jenë në dy seanca paralele dhe pjesëmarrësit mund të zgjedhin atë që dëshirojnë.

Ukshini një figure aktive edhe në komunitetin Open Source në Kosovë, përkatësisht me FLOSSK e me projekte tjera, ka thënë për LouisvilleCardinal se konferenca ka kërkuar mjaft shumë punë, megjithëse është diçka me të cilën krenohet. “E di se pasi të largohem nga ky vend, do të kem lënë diçka prapa”.

Ukshini ka arritur në Louisville në gusht të vitit 2012 nga Kosova, dhe pas kësaj është përfshirë në aktivitete të LVL1 Hackerspace, por edhe ka filluar që të nxis zhvillimin e Open Source në Kentucky. “MOSSCon është e nxitur nga komuniteti, është prej njerëzve, për njerëzit” tha Altini, duke shtuar se konferenca synon që të nxis interestimin e njerëzve në teknologji me kod të hapur të cilat përshtaten edhe në punë dhe në argëtim, ngjashëm sikurse softuerët me pagesë.

Pas MOSSCon, ku është përzgjedhur president Altin Ukshini për shkak të kontributit të dhënë, ai do të kthehet në Kosovë për të përfunduar klasën e 13’të, ndërsa shpreson që të kthehet në SHBA sërish për të ndjekur edukimin e mëtutjesëm, kurse shprehet për Lousiville Cardinal se me atë çka ka mësuar në organizimin e konferencës do të kontriboj më shumë në vendin e tij.

Kohë më parë kemi raportuar për një tjetër nxënës të shkëmbyer në SHBA, përkatësisht për Gent Thaçin, i cili gjithashtu ka lënë gjurmë aty ku ka shkuar. Raste të këtilla janë raste të jashtëzakonshme dhe të shkëlqyera të njerëzve meritor që dërgohen për përvoja të këtilla në shtete si SHBA, pasi që ata bëjnë punë të madhe duke përfaqësuar në rend të parë vendin prej kah vijnë, e duke treguar se një vend i vogël me bazë në qendër të Ballkanit, mund të bëjë ndikim edhe në gjigant industrial si SHBA. /Telegrafi/Digjitale/