Site icon Telegrafi

Alo, alo, UEFA

Alo, alo, linja me Beogradin. Nuk po dëgjohemi! Normalisht se nuk dëgjohemi, pasi zhurma e urrejtjes ndaj shqiptarëve është shumë e madhe. Kjo zhurmë shoqëroi futbollistët dhe stafin e Kombëtares shqiptare më 14 tetor në Beograd. Por, urrejtja kaloi kufijtë me thirrje racore, djegie të flamujve, hyrje të huliganëve në fushë, grushte nga lojtarët, sigurimi dhe policët serbë dhe kontrolle të rrepta ndaj futbollistëve shqiptarë. Futbollistët, stafi, dhe gazetarët panë tmerrin me sy në Beograd.

Si nuk jemi shumë të befasuar me këto sjellje të serbëve! Kujtojmë masakrën e Sebrenicës, me më shumë se 7 mijë myslimanë të masakruar. Kujtojmë masakrat, dhunimet ndaj femrave, djegiet e shtëpive, zbrazjen etnike dhe shumëçka tjetër në Kosovë dhe asnjëherë nuk kërkuan falje për krimet në Kosovë, për më tepër që deklarojnë se Kosova është e tyre.

Nëse lufta është luftë, kalojmë pak në sport. Por, as këtu duket se sjelljet e serbëve nuk kanë ndryshuar shumë.

Më 13 maj 1990, në ndeshjen e Ligës së Parë të ish-Jugosllavisë mes Dinamos së Zagrebit dhe Cervena Zvezdës së Beogradit, tifozët zbritën në fushë dhe nisën të qëllonin lojtarët. Mes tyre edhe yllin e futbollit kroat, Zvonimir Boban. Në atë kohë, Boban i cili mbronte ngjyrat e Dinamos së Zagrebit është fotografuar teksa qëllonte një polic, duke iu përgjigjur sulmit të këtij të fundit me shkop gome.

Incidente ka pasur edhe në Ligën e Serbisë, ku ka pasur të lënduar e të vdekur, por bota i pa vetëm ndeshjet ndërkombëtare.

Më 17 shtator 2009, në përballjen mes Partizanit të Beogradit dhe skuadrës Touluse të Francës, ku pas një sulmi të huliganëve serbë, mbeti i vrarë një tifoz francez.

Më 12 tetor 2010, në ndeshjet kualifikuese për ‘Euro 2012’, tifozët serbë shkatërruan stadiumin e Xhenovës në përballjen mes Serbisë dhe Italisë. Aty u bë i njohur dhe huligani serb, Ivan Bogdanov, fotot e të cilit bënë xhiron e botës, duke e djegur flamurin shqiptar. UEFA për shkak të ngjarjeve të ndodhura në shkallët e stadiumit, vendosi t’i jepte 3 pikët në tavolinë kombëtares italiane.

Pak kohë më vonë, lojtarët U-21 të Serbisë dhunuan në Beograd kundërshtarët e tyre anglezë, në ndeshjen kualifikuese për ‘Euro 2013’ për U-21.

Para pak javësh tifozët e Partizanit fyen rëndë ata të Tottenhamit dhe UEFA i dënoi me para.

Sikur të mos mjaftonin tërë këto ngjarje, që i ka parë tërë bota, mediat serbe filluan me spekulime, duke ia hedhur fajin Shqipërisë për atë që ndodhi në stadiumin e tyre.

Spekulimet ishin nga më të ndryshmet dhe më banalet, duke akuzuar vëllain kryeministrit të Shqipërisë, se ai dirigjoi dronin, flamuri kombëtar i Shqipërisë ishte akt terrorist dhe se janë frikësuar se ishte bombë.

Por, as nga këto spekulime nuk është se habitemi shumë. Janë po këto media që bënin spekulimet më të mëdha gjatë luftës në Kosovë. Në Kosovë nuk ka luftë, UÇK-ja është terroriste dhe largimi i shqiptarëve me dhunë nga shtëpitë e tyre nuk qëndron, por kanë dalë të shëtisin.

E, gjesti më i rëndë nga mediat serbe, vjen kur portali serb ‘Alo’, kopjon idenë e dronit, duke e dërguar një të tillë në selinë e UEFA-s, Nyon të Zvicrës me mbishkrimin ‘Alo bre UEFA, përjashtoje Shqipërinë’.

Nëse shqiptarët kishin faj në atë ndeshje, kush kishte faj në takimin e së premtes në basketboll, Cervena Zvezda – Galatasaray, ku u fyen shqiptarët, e kush kishte faj në ndeshjen e së shtunës në Serbi, Partizani – Cervena Zvezda, ku në një flamur të madh shkruante ‘Kosova është Serbi’, u dogj flamuri kombëtar shqiptar dhe kishte trazira në stadium.

Kjo është fytyra e vërtetë e serbëve. Këta janë huliganët serbë dhe këta duhet të përjashtohen nga kualifikimet. Besoj se UEFA ka 100 fakte për të dënuar Serbinë dhe për të dhënë një mesazh të qartë, se në sport nuk ka racizëm dhe dhunë. E, nëse herët e kaluara është treguar e ‘matur’, tashmë ka rastin të përjashtojë dhe t’i jep një mësim, edhe serbëve edhe vendeve tjera.
Hyrja e huliganëve në fushë, e sidomos të Ivan Bogdanov, është edhe një fakt se vendim tjetër përpos 3:0 për Shqipërinë dhe dënime për Serbinë nuk ka.

Alo, alo, UEFA linja tani është te ju. Të gjithë janë duke pritur vendimin tuaj. Kësaj radhe s’ka falje. Kësaj radhe s’ka lëshime. Kësaj radhe le të triumfon drejtësia. /Telegrafi/ 

Exit mobile version