Shumëkush prej nesh do të ishte i interesuar të njihte vajzën që fshihet përtej bukuroshes me tipare mesdhetare të vitit 2008. Edhe pse mjaft e re në moshë, përgjigjet e saj flasin për një vajzë më të pjekur në karakter se moshataret e saj. Në intervistën e mëposhtme, Almeda na tregon se cila është ajo në të vërtetë, pasionet, ëndrrat që ka ngritur për më tej, çfarë e lumturon apo e lëndon…
-Cila është ideja jote për lumturinë e vërtetë?
“Lumturia është një koncept shumë i gjerë dhe ndoshta nuk ekziston një njësi matëse që të mund ta përcaktojë atë. Lumturia ka shumë forma dhe nivele dhe secila prej tyre varet nga personi të cilit i referohemi. Por e rëndësishme është që lumturia është arsyeja për të cilën jetohet dhe luftohet për ta arritur”.
-Frika më e madhe?
“Për mua personalisht frika më e madhe është të lëndoj pa dashje dhe pa qëllim personat që besojnë dhe shpresojnë tek unë”.
-Tipari i të tjerëve që të ngjall mëshirë?
“Sinqerisht tipari që më ngjall më shumë mëshirë tek të tjerët është mendjemadhësia”.
-Ekstravaganca jote më e madhe?
“Zakonisht nuk jam tip ekstravagant në çdo gjë që bëj. Nëse do të mund të shprehesha ekstravagante në diçka, do të ishte për shembull të vishesha me një stil që nuk më përket dhe nuk më shkon përshtat mua, vetëm e vetëm se ky stil mund të jetë në modë. Nuk mund të jem ekstravagante përtej natyrales sime”.
-Cili është udhëtimi yt i preferuar?
“Unë pëlqej të udhëtoj dhe të eksploroj vende të reja, por më i preferuari është udhëtimi në det”.
-Në çfarë rasti mund të gënjesh?
“Never (kurrë)! Sinqerisht nuk mund të gënjej, pasi nuk di të gënjej”.
-Personi që përçmoni më shumë?
“E thashë edhe më lart, një njeri mendjemadh më ngjall ndjenjën e përçmimit dhe njëkohësisht edhe atë të mëshirës”.
-Pengu yt më i madh?
“Jam shumë e re për të thënë se më ka ngel peng diçka. Kam gjithë kohën përpara për të realizuar çdo synim që i kam vënë vetes, mjafton vullneti për ta arritur”.
-Kur dhe ku ke qenë e lumtur?
“Unë ndjehem e lumtur pranë njerëzve që më duan dhe në vendin ku më vlerësojnë dhe më njohin për këtë që jam”.
-Në ç’gjendje shpirtërore je tani?
“Momentalisht jam e qetë dhe me shumë shpresa për të ardhmen dhe për të realizuar ëndrrat e mia”.
-Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka tek vetja, çfarë do të ishte ajo?
“Kjo është një pyetje që iu bëhet të gjithëve. Për të qenë e sinqertë dhe jo për të thënë se më pëlqen vetja, por jam e kënaqur me këtë që jam, kështu si më njohin të tjerët dhe me këtë që kam arritur. Përse të kërkoj të ndryshoj!”
-Po të vdisje dhe të mund të rimishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?
“Nuk besoj në rimishërim. Jam kjo që jam dhe po e përsëris: më pëlqen të jem vetvetja. Besoj në atë që çdo njeri duhet të ndjehet krenar për veten dhe personalitetin e tij kur e sheh që vlerësohet”.
-Cili është sendi më i çmuar që zotëron?
“Për momentin sendi me i çmuar që disponoj është laptopi me të cilin arrij të mbaj lidhjet e shumta me miqtë e mi kudo që ndodhen këtu apo jashtë”.
-Cilën quan pikën më të thellë të mjerimit?
“Mjerimi më i madh që mund të këtë një njeri është injoranca dhe mungesa e dëshirës dhe e vullnetit për të dalë nga ajo gjendje”.
-Ku do të pëlqente të jetoje?
“Aty ku do të shihja se mundësitë për të realizuar ëndrrat e mia janë më të mëdha, por pa lënë mënjanë Shqipërinë, vendin tim”.
-Cila është karakteristika jote më e spikatur?
“Sinqeriteti, me pak fjalë”.
-Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?
“Për momentin kam lexuar Dan Brown me “Kodin e Da Vinçit” dhe më është dukur një shkrimtar shumë interesant dhe i thellë në ato që shkruan”.
-Cilat gjëra nuk të pëlqejnë fare?
“Hipokrizia dhe servilizmi”.
-Si do të pëlqeje të vdisje?
“Nuk mund të thuash se më pëlqen të vdes! Pra, nuk do të doja të vdisja fare, por meqë duhet, si të jetë shkruar”.
-Cila është motoja jote?
“Përpjekje, besim dhe vullnet i fortë për të ecur përpara edhe atëherë kur duket e pamundur”./korrieri/