Portieri brazilian, Alisson Becker duket se ka vendosur të qëndrojë te Roma.
Numri një i Giallorosëve ka shkëlqyer këtë edicion me paraqitjet e tij në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve.
Kësisoj për shërbimet e tij janë interesuar skuadrat më të mëdha evropiane.
Liverpool, Chelsea, Real Madrid, Paris Saint Germain dhe Bayern Munich e duan brazilianin.
Krerët e Romës kishin deklaruar javë më parë se për ta lënë të lirë Alissonin duan së paku 100 milionë euro.
Por duket se Roma nuk e ka ndërmend ta largojë yllin e tyre pasi i ka ofruar kontratën e re.
Sipas mediave italiane, Alisson ka pranuar vazhdimin e kontratës me Romën deri në vitin 2023.
Kjo kontratë do të nënshkruhet pas përfundimit të këtij edicioni.
Me kontratën e re Alisson pritet të bëhet ndër lojtarët më të paguar te Roma pasi do të ketë një pagë vjetore rreth pesë milionë euro. /Telegrafi/