Site icon Telegrafi

Aleksandar Vulin thotë se mbijetesa e Serbisë varet nga Rusia

Ministri i Punëve të Brendshme dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste, Aleksandar Vulin ka deklaruar se mbijetesa e Serbisë varet nga Rusia.

Vulin thotë se miqësia e Beogradit me Moskën është e një rëndësie të madhe.

“Kur nuk ka Rusi në tavolinë, nuk ka as Serbi. Millorad Ekmeçiq na mësoi se ‘serbofobia është vetëm një degë e rusofobisë’. Marrëdhëniet me Rusinë, Kinën dhe vendet e tjera që na pranojnë pa shantazhe dhe kushte janë e ardhmja e Serbisë. Pse duhet të jemi pjesë gjeografike e çdo aleance?”, ka theksuar Vulin.

Po ashtu, Vulin ka shprehur mosbesim ndaj propozimit të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, të cilët ofrojnë përfitime ekonomike dhe përshpejtim të procesit të anëtarësimit të shtetit serb në Bashkim Evropian.

Kujtojmë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ditë më parë kishte pasur takime me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko dhe atë kinez Chen Bo, gjë që u kishte kërkuar këshilla dhe ndihmë rreth Kosovës.

Nuk është hera e parë që Vuçiq bënë kësi lloj takime, veçanërisht me Rusinë dhe Kinën, sa herë që ndodh ndonjë ngjarje e madhe në raport me vendin tonë. /Telegrafi/

Exit mobile version