Telegrafi

Alarmohen gjigantët evropianë nga çmimi që Man United i ka caktuar Jadon Sanchos

Manchester United thuhet se do të kërkojë 50 milionë euro për Jadon Sanchon këtë verë. Anësori anglez do të rikthehet në Old Trafford pas skadimit të huazimit te Borussia Dortmund.

BBC Sport raporton se Djajtë e Kuq duan një shitje të drejtpërdrejtë sepse fondet e tyre të transferimit do të jenë të kufizuara për shkak të kufizimeve të FFP. Sulmuesi 24-vjeçar e kaloi gjysmën e dytë të sezonit të kaluar si huazim në Signal Iduna Park.

Sancho u përplas me trajnerin e Manchester United, Erik ten Hag në fillim të sezonit. Ai iu kundërpërgjigj pretendimeve se kishte dështuar në stërvitje me një postim të fshirë tashmë në rrjetet sociale, duke pretenduar se ai ishte dënuar.

Reprezentuesi anglez me 23 ndeshje u përjashtua nga ekipi i parë i United dhe nuk luajti më përpara se të rikthehej tek Dortmundi si i huauzuar. Ai u bë një lojtar i shquar i skuadrës së Edin Terzic me tri gola dhe po aq asistime në 21 ndeshje në të gjitha garat.

BvB dëshiron të mbajë Sanchon, por nuk mund ta përballojë atë, duke përjashtuar mundësinë e një lëvizjeje të përhershme. Ai iu bashkua Djajve të Kuq nga gjigantët e Bundesligës në vitin 2021 për rreth 85 milionë euro.

Sancho përballet me një të ardhme të pasigurt, por thuhet se është i hapur për t’u rikthyer në Manchester United nëse Ten Hag nuk është në krye. Gjigantët e Ligës Premier po bëjnë një rishikim të fund-sezonit që do të vendosë për fatin e trajnerit holandez. /Telegrafi/