Al-Qaeda ka publikuar një regjistrim 35-minutësh që grupi pretendon se ishte transmetuar nga lideri i saj, Ayman al-Zawahiri.
Ai besohej se ishte vrarë në një sulm të SHBA-së në gusht të vitit 2022, tha të premten grupi i inteligjencës SITE.
Regjistrimi ishte pa datë dhe transkripti nuk tregonte qartë një kornizë kohore se kur është realizuar, raporton reuters.
Zawahiri u vra në një sulm të forcave amerikane në Afganistan, goditja më e madhe për grupin militant që kur themeluesi i tij, Osama bin Laden u vra në vitin 2011.
Ai ishte fshehur për vite me radhë gjersa operacioni për gjetjen dhe vrasjen e tij ishte rezultat i punës “të kujdesshme, të durueshme dhe këmbëngulëse” nga komuniteti i antiterrorizmit dhe inteligjencës, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Al-Qaeda nuk ka emëruar një pasardhës. Por, Saif al-Adel, një ish-oficer i forcave speciale egjiptiane, i cili është një anëtar i rangut të lartë të grupit terrorist, shihet nga ekspertët si pretendenti kryesor. /Telegrafi/