Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi ndihet i lumtur me transferimin e mbrojtësit spanjoll, Sergio Ramos.
PSG njoftoi gjatë ditës transferimin e Ramosit, i cili erdhi si lojtar i lirë dhe nënshkroi një marrëveshje dyvjeçare me klubin nga Parc des Princes.
Transferimi i Ramosit e ka lumturuar jashtë mase presidentin Al-Khelaifi, i cili e ka cilësuar si lider dhe njërin nga lojtarët më të mëdhenj të kohës.
“Parisi sot mirëpret një nga lojtarët më të mëdhenj të kohës sonë. Ne jemi të lumtur të njoftojmë që Sergio Ramos po bashkohet me ne”, ka thënë fillimisht Al-Khelaifi.
“Sergio është një futbollist i kompletuar, një nga mbrojtësit më të mirë në histori. Ai është një konkurrent i lindur, një lider dhe një profesionist i madh”.
“Përvoja e tij e madhe dhe ambiciet e tij janë në harmoni të përsosur me ato të klubit”.
“Jam krenar që e shoh atë në fanellën e Paris Saint-Germain dhe e di që mbështetësit tanë do t’i bëjnë një pritje fantastike”, përfundoi presidenti i PSG-së. /Telegrafi/