Telegrafi

Akupunktura hyn në botën e “Hollywood-it”

Kjo metodë sot është bërë shumë e populluar edhe në Perëndim, ku besohet se përdorimi i gjilpërave në pika të posaçme të akupunkturës stimulon sistemin nervor qendror dhe në tru nis një efekt i ngjashëm me atë të qetësuesit.

Akupunktura nuk është efektive vetëm për migrenën, por funksionon mrekullisht edhe për ata që kanë probleme me sinuset, tension të lartë të gjakut ose probleme me gjumin.

Migrena është përfshirë në listën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë të sëmundjeve që arrin të trajtojë akupunktura.

Është një kurë e mrekullueshme edhe për dhimbjet e artritit dhe tendosjes së muskujve.

Në Kinë dhe në shumë vende të tjera aziatike, akupunktura është një trajtim shumë i përdorur alternativ, megjithatë kohët e fundit po përdoret edhe nga artistët më të njohur të "Hollywood-it".

Arsyet janë të shumta – për shëndetin në përgjithësi, për uljen e kilogramëve, për lifting fytyre, problemet me fertilitetin, migrenën etj.

Përdorimi i akupunkturës në Perëndim i ka zanafillat që nga Marilyn Monroe. Ajo e përdori këtë metodë të lashtë kineze për t’u qetësuar nga dhimbjet e stomakut kur ndodhej në Tokio me burrin e saj Joe DiMaggio.

Më vonë, përdorimi i akupunkturës pasoi me Katy Perry dhe Jim Carrey, të cilët dëshmojnë se akupunktura, së bashku me dietën ushqimore nga dr. Ni Maoshing, e ka përmirësuar shëndetin e tyre në përgjithësi.

Kim Kardashian disa muaj më parë postoi në instagramin e saj një fotografi ku në fytyrën e saj kishte gjilpëra akupunkture.

Po cilat janë përfitimet që sjell akupunktura?

Martha Lucas, akupunkturiste nga Kolorado me gradën "doktor", shprehet se pas 10 seancash trajtimi (dy herë në javë për 5 javë radhazi), lëkura bëhet më e pastër dhe vijat e rrudhave më pak të dukshme. Ajo thotë se trajtimet mund të zhdukin rrudhat e lehta.

"Akupunktura kozmetike është një zgjidhje e përkryer për ato gra që nuk duan efekte anësore si pasojë e trajtimeve të tjera të fytyrës, lifting, botoks apo operacione plastike," thotë Lucas.

Kjo procedurë funksionon edhe për meshkujt, shton Lucas, megjithëse jo shumë prej tyre e kërkojnë atë.

Këngëtarja Celine Dion nëpërmjet akupunkturës arriti të ngelte shtatzënë me binjakët e saj në moshën 42-vjeçare. Ajo e ndihmoi Mariah Carey-n me këshillën e saj për përdorimin e akupunkturës, e cila lindi dhe ajo binjakë në moshën 40-vjeçare.

Aktorja Natalie Portman tha se akupunktura e ndihmoi në reduktimin e stresit gjatë shtatzënisë, ndërkohë Kate Winslet shprehet se kjo metodë i ka ulur dhimbjet.

Në një intervistë Jennifer Lopez u shpreh se ka humbur 8 kilogramë nëpërmjet metodës dobiprurëse, akupunkturës.

Përveç akupunkturës, Lopez përdor gjithashtu barna kineze: lëvorja e pjeprit të dimrit është më e preferuara e saj. Gjithashtu edhe Lopez konfirmoi se me akupukturën i është përmirësuar ndjeshëm cilësia e gjumit, dhe në fakt, kapërcimi i pagjumësisë është në favor të pakësimit të peshës.

Këngëtarja Gwen Stefani arriti të shpëtonte nga migrena falë akupunkturës, si dhe trajtoi me të djalin e vet të vogël.

Gjithashtu, vipa të tjerë si Sandra Bullock etj., merren me akupunkturë, për të qëndruar të rinj.

Akupunktura, një trend i ri selfie-sh

Supermodelja Kate Moss e përdori akupunkturën për të lënë drogën dhe për të lehtësuar astmën dhe artritin.

Oprah Winfrey gjithashtu e përdor akupunkturën rregullisht.

Penelope Cruz ka nxjerrë disa foto ku shfaqet me gjilpëra në vesh.

Sheryl Crow përjetoi një përmirësim të madh nga përdorimi i bimëve kineze për të kuruar kancerin e gjirit.

A ndikon metoda e lashtë kineze njësoj tek të gjithë?

Kjo varet nga shumë faktorë, përfshi moshën dhe fizikun. Gjendja shëndetësore tek një person është një aspekt i rëndësishëm për akupunkturën. Për shembull, nëse dikush ka probleme me fshikëzën e tëmthit ose lodhje të gjëndrave mbiveshkore, nuk mund të trajtohet me akupunkturë.

Doktor Edward Lamadrid nga Çikago në një studim shkencor lidhur me efektet e akupunkturës tek pesha, arriti në përfundimin se 95 për qind e pjesëmarrësve kishin pasur ulje të dukshme të peshës në një periudhë 6-javëshe. Tek këta pacientë u pa gjithashtu një përmirësim në shëndetin e përgjithshëm e një qetësim shpirtëror.