Site icon Telegrafi

Aktorët e Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren marrin kontrata të reja të punës

Aktorët e Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren kanë nënshkruar kontratat e reja të punës me afat të pacaktuar, që është vlerësuar si një hap i rëndësishëm për stabilitetin e këtij institucioni publik lokal kulturor.

Teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” ka njoftuar se aktorët e këtij teatri kanë nënshkruar kontrata meritore sipas legjislacionit në fuqi.

“Pas përfundimit të kontratave 2+2-vjeçare, ata morën kontratat e merituara që ju takojnë sipas ligjit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prizrenit, Adem Morina,  duke konfirmuar nënshkrimin e kontratave të përhershme, ka vlerësuar këtë hap si një konfirmim të meritave dhe përkushtimit të aktorëve që sipas tij kanë dhënë një kontribut të vlefshëm për zhvillimin e teatrit dhe jetën kulturore të qytetit.

“Kontratat e përhershme janë pjesë e angazhimit tonë për t’i mbështetur aktorët në punën e tyre artistike”, ka thënë Morina.

Sipas tij gjatë takimit është biseduar edhe për sukseset e arritura, punët e mira në vijim të teatrit si dhe për projektet në të ardhmen, raporton Telegrafi.

Sipas Ligjit të ri për Artin dhe Kulturën, teatrot dhe institucionet e tjera publike lokale të artit dhe kulturës, mbikëqyren nga komuna për të siguruar funksionimin e tyre të qëndrueshëm. /Telegrafi/

 

Exit mobile version