Gjatë ditës së enjte, Aktivi i Gruas në Obiliq ka pritur në takim Visare Goranin, Konsulente të Projektit “Aktiviteti i Kontratës Sociale,” në kuadër të USAID-it.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vlora Mjekiqi Kabashi, e cila ka një rol të rëndësishëm në mbështetjen e grave dhe fuqizimin e tyre në vendimmarrje, transmeton Telegrafi.
Sipas një njoftimi të bërë nga komuna e Obiliqit, në takim u diskutua për projektin “Fuqizimi i Grave në Procesin e Këshillave Lokale”.
“Gjatë takimit u diskutua në detaje për projektin “Fuqizimi i Grave në Procesin e Këshillave Lokale” me fokus në përmirësimin e pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe politike në nivel lokal. Projekti synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e përfaqësimit të barabartë të grave në këshillat lokale, duke theksuar nevojën për rritjen e pjesëmarrjes aktive të tyre në vendimmarrje”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se kryesuesja e Kuvendit Komunal Vlora Mjekiqi Kabashi, ka mirepritur këtë projekt, duke u zotuat se do ti mbështes.
“Kryesuesja e Kuvendit Komunal znj.Kabashi vlerësoi përkushtimin e projektit për fuqizimin e grave dhe u zotua për mbështetje të plotë nga ana e Kuvendit Komunal, duke theksuar që ky projekt është një hap i rëndësishëm për barazinë gjinore në Obiliq dhe përfshirjen e grave në struktura udhëheqëse”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/