Site icon Telegrafi

Aksion i policisë në Gjilan, tre të dyshuar nën hetim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

Policia Rajonale e Gjilanit njofton se me lejen e Prokurorit të Shtetit, ka realizuar një aksion bastisjeje në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të tre personave të dyshuar.

Në komunikatë theksohet se kjo basistje ka ndodhur pas marrjes së informacioneve se ata kanë shtënë me armë në ajër gjatë natës së ndërrimit të viteve.

Bastisjet janë kryer pas sigurimit të provave përmes rrugëve operative, duke çuar në sekuestrimin e disa armëve dhe një sasie të konsiderueshme municioni, përfshirë pushkë gjuetie, një pistoletë dhe një pushkë automatike për të cilën nuk ishte poseduar leja përkatëse.

Po ashtu, janë konfiskuar fishekë, gëzhoja dhe karikatorë.

Tre të dyshuarit janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa ndaj tyre pritet të ngrihen kallëzime penale për veprat “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Rasti është dorëzuar për procedim të mëtejshëm në Prokurorinë Themelore.

Policia ka bërë apel për respektimin e ligjeve dhe shmangien e veprimeve që rrezikojnë sigurinë publike. /Telegrafi/

Exit mobile version