Telegrafi

Aksidenti i frikshëm i pilotit të IndyCar, Robert Wickens është duke u trajtuar pas lëndimeve të mëdha

Robert Wickens (Foto: Getty Images)

Piloti i IndyCar, Robert Wickens, është hospitalizuar dhe po trajtohet për lendime në ekstremitetet e poshtme, dorën e djathtë dhe në shtyllën kurrizore, pas aksidentit të pësuar të dielën pasdite në garën në pistën Pocono.

Vozitësi kanadez ka pësuar edhe një lëndim në mushkëri, ashtu që rezonanca magnetike do ta caktojë diagnozën e saktë.

Nga IndyCar kanë thënë se sipas të gjitha gjasave, ai do të operohet në spitalin në Allentown të Pennsylvanias.

Kanadezi ishte përpjekur ta tejkalonte pilotin tjetër, Ryan Hunter-Reay, kur dy bolidet u prekën lehtë, mirëpo kjo mjaftoi që automjeti i tij të përplasej në murin rrethues.

Pamjet nga xhirimet e aksidentit janë tmerruese, ku shihet rrotullimi dhe dëmtimi i madh bolidit të Wickens.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë për ta ndihmuar pilotin, i cili kishte qenë i vetëdijshëm, ndërsa u transportua në urgjencë përmes helikopterit.

“Është gjëja më e keqe që mund të shohësh. Ai është i lënduar. Është i vetëdijshëm dhe i orientuar, dhe fatmirësisht është akoma gjallë”, ka thënë piloti tjetër, Sebastien Bourdais, në momentin e aksidentit. /Telegrafi/