Në kuadër të Fushatës elektorale për Zgjedhjet Lokale 2017, Aleanca Kosova e Re ka mbajtur sot tubim me qytetarë në Komunën e Novobërdës dhe të Fushë Kosovës.
Fillimisht Dega e AKR-së në Novëbërdë ka prezantuar kandidatin për kryetar komune Ramush Mehmeti si dhe listën e asamblistëve për këtë komunë.
Mehmeti në fjalën e tij para qytetarëve të Novobërdës tha se prioritet i tij do të jetë ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i bujqësisë.
Duke folur për programin e AKR-së, ai tha se me ardhjen e tij në krye të Komunës, qeverisja do të jetë transparente dhe me llogaridhënie.
I pranishëm në tubim ishte edhe Presidenti i AKR-së Behgjet Pacolli i cili theksoi se parim i AKR-së vazhdon të jetë paqja, demokracia e barazia.
“Synimi ynë kryesor për Novobërdën është ngritja e një qendre agroekonomike, e cila do të punësojë shumë qytetarë”, tha tutje i pari i AKR-së duke folur për potencialin zhvillimor të kësaj Komune.
Pas tubimit në Novobërdë, Aleanca Kosova e Re ka mbajtur tubim zgjedhor edhe në Fushë Kosovë ku prezantoi kandidatin për kryetar komune, si dhe listën e kandidatëve për asamble komunale.
Kandidati për kryetar të Fushë Kosovës, Isuf Ahmeti iu beri thirrje qytetareve që t’i thonë mjaft keqqeverisjes dhe të votojnë programin më të avancuar për komunën e tyre.
“Komuna jonë është gjeneruese e madhe e vendeve të punës. Ne ofrojmë program i cili do të krijojë kushte optimale për të bërë biznes”, tha ai, duke u zotuar se nën qeverisjen e AKR-së arsimi do të depolitizohet plotësisht.
Në këtë tubim i pranishëm ishte edhe Presidenti Behgjet Pacolli, i cili tha se do të qëndrojë pas kandidatit Ahmeti në përmbushjen e pikave programore të AKR-së.