Edhe pse miniera e Goleshit është në kontest gjyqësor, ajo ka disa ditë që ka filluar punën. Kjo pasi menaxhmenti i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka bërë marrëveshje kontraktuale për shfrytëzimin e materialeve të minierës me kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila është duke e ndërtuar autostradën Prishtinë-Shkup.
AKP e kishte marrë minierën nën administrim me pretendimet se ish-blerësi nuk i ka përmbushur zotimet për investime. Por, të kundërtën e thotë blerësi Hysni Zogaj.
Zogaj akuzon AKP-në dhe KPMM-në se kanë bërë shkelje duke i hequr emrin e tij nga licenca dhe duke vendosë në emër të Avni Jasharit, një personi fizik që punon në AKP. Ai e quan të kundërligjshme marrëveshjen duke thënë se ende nuk ka përfunduar lënda gjyqësore.
Nga ana tjetër, zyrtarët e AKP-së kanë zgjedhur të heshtin. Për ditë të tëra KosovaPress nuk ka arritur të marrë përgjigje se me çfarë baze ligjore është lidhur kontrata për shfrytëzimin e materialeve të minierës.
Zogaj shprehet i habitur se si AKP nxjerr raporte ku thotë se blerësi nuk i ka përmbushur obligimet, nuk ka bërë investime, e ne të njëjtën kohë nuk ka shkuar as një vit dhe ka bërë kontratë me kompaninë “Bechtel & Enka”, duke i shfrytëzuar prodhimet që kanë qenë të përgatitura para se ta merr nën menaxhim minierën.
Arritjen e marrëveshjes me AKP-në e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e kompanisë “Bechtel & Enka”, Ela Ruçi.
“AKP e ka në administrim dhe ne kemi bërë marrëveshje me administratorin. S’kemi asnjë lidhje me gjykatat”, ka qenë përgjigja e Ruçit.
Përndryshe, Zogaj është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai në muajin janar të këtij viti ka paraqitur ankesë aty. E, kjo e fundit, sipas përgjigjes që ka dhënë për “KosovaPress”, ka thënë: “Kjo lëndë aktualisht është në fazën e shqyrtimit dhe sapo të merret vendimi Gjykata do të informojë me kohë të gjitha palët e përfshira në rast”.