Nga: Antonella Anedda
Përktheu: Maksim Rakipaj
Thua mjaft të mos kesh faj dhe nuk ndëshkohesh,
por ti faje ke.
Plot klithma është ajri. Aty janë, ngjitur në mure,
gërvish paksa dhe duken.
Nga tullat dalin psherëtima, copëra fjalësh.
Patkoj kuajsh të cofur qarkojnë pamje betejash.
I mbajnë për pak, para se në të ardhmen të nisen, pa korniza.
Ç’na bën kaq mizorë me njëri-tjetrin?
Ç’na bën më mizorë se të tjerët?
Mizoritë e pësuara, poshtërimet e gëlltitura që na mbështjellin
me gjëmba trupin e plagosur?
Apo thjesht për të keqen jemi paracaktuar
dhe jeta përbëhet prej armëpushimesh të përkohëshme,
kur nuk duhet të urrejmë dhe të godasim?