Arlind Ajeti zbarkoi pa zhurmë në Serinë A, duke firmosur për Frosinonen kur kjo e fundit ishte në pozita mjaft të vështira në renditje dhe askush nuk priste që shqiptari të bënte diferencën.
Në fakt, ka rezultuar e kundërta, sepse qendërmbrojtësi i Shqipërisë pak nga pak ka bindur drejtuesit e tifozët, duke u kthyer në lojtar startues dhe është ndër më të vlerësuarit te kjo skuadër.
Në 4 muaj te Frosinone, Ajeti ka luajtur 12 ndeshje e ka shënuar një gol në Serie A, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Itali, por edhe jashtë saj.
Kontrata e tij me Frosinonen përfundon në verë dhe kjo ka joshur shumë klube, por ndërkohë vetë Ajeti duhet të vendosë, pasi me Frosinonen ka edhe një marrëveshje për rinovim për 2 vjet në rast mbijetese.
Nëse mbijetesa arrihet, kontrata rinovohet automatikisht, por Ajeti në Frosinone ka gjetur ambientin ideal dhe është kthyer të luajë rregullisht e të ndihet i rëndësishëm.
Ai tani ka një dilemë. Dilema e tij është të pranojë ndonjë ofertë joshëse ekonomikisht, duke refuzuar zbritjen në B, apo të mos e tradhtojë klubin që e riktheu te futbolli i luajtur pas shumë muajsh pushim?